Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë bën të ditur se ka marrë vendim që të përforcojë masat e sigurisë në tërë territorin e saj gjatë festave të Pashkëve.
Siç njoftojnë nga dikasteri i policisë maqedonase, këto masa ndërmerren për shkak të kërcënimeve globale terroriste nga ISIS, synim i të cilave janë edhe vendet e Ballkanit, mes të cilave është edhe Maqedonia si shtet.
“Duke pasur parasysh kërcënimet globale terroriste, ku në cak janë edhe objektet fetare (siç ishin rastet e sulmeve në Egjipt), më pas targetimi i vendeve të Ballkanit, mes të cilave është edhe Maqedonia, përfshirë tubimet e mëdha të qytetarëve, nga ana e grupit terrorist ISIS, MPB do t’i forcojë masat e sigurisë në ditët në vijim në tërë territorin e shtetit”, theksohet në kumtesën për media të dikasterit të policisë së Maqedonisë.
Nga dikasteri i policisë edhe kundrejt insistimit të Radios Evropa e Lirë, nuk kanë dhënë informacione nëse “ai disponon me informacione rreth ndonjë kërcënimi konkret që ka të bëjë me Maqedoninë si shtet rreth sulmeve terroriste”.
Ekspertët e sigurisë thonë se Maqedonia si shtet nuk është imune ndaj sulmeve terroriste veçanërisht situatës delikate në të cilën ndodhet vendi tanimë më shumë se dy vite e zhytur në krizë të thellë politike.
“Aktualisht në Republikën e Maqedonisë kemi të bëjmë me disa momente “latente” , rreziqe të fshehura sa i përket sulmeve eventuale terroriste të cilat mund të jenë me karakter të brendshëm ose të jashtëm sa përket sulmeve terroriste".
"Sa më parë në Maqedoni duhet të zgjidhet kjo krizë “e uzurpimit të institucioneve nga ana e grupacioneve kriminale dhe organet e sigurisë të depolitizohen që me sukses të mund t’u përgjigjen sfidave me rreziqet që kanë të bëjnë me terrorizmin”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Vladimir Pivovarov ish drejtues i agjencisë ushtarake në Maqedoni për zbulim dhe kundërzbulim.
Përdërderisa, Stojan Sllavevski, ekspert për çështje të sigurisë vlerëson se Maqedonia si shtet është i rëndësishëm për sigurinë globale.
Sllavevski thotë se me rëndësi të veçantë është këmbimi i informacioneve me strukturat relevante në nivel botëror, veçanërisht pasi përmes territorit të Maqedonisë edhe pas mbylljes së rrugës ballkanike akoma përmes kanaleve ilegale lëvizin migrantët të cilët ikin nga visete prekura nga lufta nga lindja e Mesme dhe Afrikë e Veriut në mesin e të cilëve mund të infiltrohen dhe grupacione ekstremiste.
“Kjo që ndodh për momentin do të thosha partizimin e skajshëm të strukturave të inteligjencës, vendosjen e personave me përgatitje jo adekuate në strukturat e sigurisë në pozita shumë të ndjeshme që kanë të bëjnë me sistemin e sigurisë së Maqedonisë sigurisht se ka impakt negativ sa i përket aktiviteteve që ndërmerr Maqedonia si shtet për tu mbrojtur nga terrorizmi”, thotë Sllavevski. (REL)