Mbështetësit e ish-prokurorit, Preet Bharara, ndoshta mund ta kritikojnë shkarkimin e tij nga posti i prokurorit federal, që nga administrata e presidentit, Donald Trump, është karakterizuar si ndërrim rutinor nën presidentin e ri.
Por, me gjasë, shkarkimi i Bhararës nga Moska nuk do të ndiqet me derdhje të lotëve, por përkundrazi kjo mund t’i gëzoj rusët.
Dikur prokuror amerikan për Qarkun Jugor të Nju Jorkut, i emëruar në vitin 2009, ai i ka udhëhequr shumë raste të profilit të lartë të ndjekjeve penale, që i kanë trazuar qarqet e fuqishme në Moskë. Kjo, përfundimsisht, ka çuar në përfshirjen e tij në listën e sanksioneve të Rusisë.
Në vazhdim i paraqesim disa nga rastet e ndërlidhura me Rusinë, të proceduara nga Zyra e prokurorit të dikurshëm, Preet Bharara, gjatë mandatit të tij shtatëvjeçar.
“Shitësi i vdekjes” dhe piloti
Ekziston pajtueshmëri e përgjithshme se dy rastet e zotit Bharara, që në mënyrë publike e kanë zemëruar më së shumti Moskën, janë ai i shitësit të armatimit ushtarak, Viktor Bout, ish-oficer i forcës së dikurshme ajrore sovjetike, i njohur edhe me ermin “Shitësi i vdekjes”, dhe piloti, Konstantin Yaroshenko.
Të dy ata janë shtetas të Rusisë dhe aktualisht janë në vuajtje të dënimeve të gjata me burg në Shtetet e Bashkuara, pasi janë shpallur fajtorë për akuza për konspiracion, të ndërlidhura me trafikim të armatimit (Bout) dhe narkotikëve (Yaroshenko).
Të dykëta njerëz janë zënë në vendet e treta dhe menjëherë janë ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, praktikë që është kritikuar ashpër nga Moska, e cila i ekstradimet e tyre i ka cilësuar si rrëmbime.
Në atë që gjërësisht konsiderohet si hakmarrje për involvimin e tij në këto dy raste, Bharara është përfshirë në listën e sanksioneve të Rusisë, në vitin 2013, të publikuar si përgjegje ndaj listës amerikane, Akti Magnitsky, ku janë përfshirë, shkelsit e të drejtave të njeriut në Rusi.
Gjatë shpalljes së listës së zezë, Ministria e jashtme e Rusisë pat thënë se Bharara i kishte shkelur “të drejtat dhe liritë e shtetasve rusë jashtë vendit”.
Hakerët
Zyra e prokurorit të dikurshëm, Preet Bharara, i ka proceduar disa raste kundër hakerëve rusë dhe kriminelëve të tjerë kibernetikë. Këto raste, po ashtu e kanë tmerruar Moskën.
Në këto raste në shënjestër ishin rusët e akuzuar për shkallë të gjërë të vjedhjes me kartela kreditore dhe me depërtime në xhirollogaritë bankare.
Njëri prej këtyre të dyshuarve, me sukses i ndjekur nga zyra e Bhararës, ishte Nikita Kuzmin, djali i yllit të rok muzikës ruse, Vladimir Kuzmin, që nga këngëtarë amerikanë ishte dikur cilësuar si “super talent muzikor”.
Mospajtimi kryesor i Rusisë me akuzat për krime kibernetike kundër rusëve, të udhëhequra nga Zyra e zotit Bharara, ishte praktika e arrestimeve në vendin e tretë.
Në një rast të tillë ishte i involvuar, Vladimir Drinkman, të cilin Holanda e dorëzoi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2015, dhe i cili përfundimisht e pranoi fajësinë për involvim në një skemë masive të krimit kibernetik, në shënjestër të të cilit ishin kompanitë kryesore amerikane dhe ato multinacionale, siç janë, NASDAQ, Carrefour, Dow Jones, Jet Blue, e të tjera.
Pas ekstradimit të të akuzuarit Drinkman, Ministria e jashtme e Rusisë, u ka tërhequr vërejtjen shtetasve rusë për rreziqet e udhëtimit në vendet të cilat kanë marrëveshje të ekstradimit me Shtetet e Bashkuara.
Vigjilent kundër spiunëve
Zyra Bharara ishte thellë e involvuar në rastn më të njohur Shtetet e Bashkuara – Rusi, prej rënies së Bashkimit Sovjetik: arrestimi i 10 agjentëve sekretë rusë në vitin 2010, të cilët përfunndimisht iu dorëzuan Moskës në këmbimin e spiunëve.
Këtë rast e ka ndjekur Qarku Jugor në Nju Jork, në të cilin rusët e pranuan fajësinë se kanë vepruar si agjentë të jashtëm të paregjistruar, ndërsa për kushtet e marrëveshjes për këmbim, ishin zhvilluar negociata të nivelit më të lartë të qeverive të dy vendeve.
“Këro arrestime dhe ndjekjet penale dërgojnë mesazh te secila agjenci tjetër e inteligjencës se nëse ju vini në Amerikë dhe spiunoni kundër amerikanëve në Amerikë, ju do të zbuloheni dhe arrestoheni”, u pat thënë Bharara gazetarëve, pasi rusët u ishin dorëzuar autoriteteve qeveritare të Rusisë, në aeroportin e Vjenës, në korrik të vitit 2010.
Këtë rast, zoti Bharara e ka përmendur edhe derisa prokurorët federalë patën shpallur akuza kundër personit, Yevgey Buryakov, i cili ishte akuzuar se punonte për inteligjencën ruse në Nju Jork, i fshehur si nëpunës i bankës zhvillimore, Vneshekonombank, që ishte pronë shtetërore ruse.
“Pas ndjekjes së mëparshme penale së bashku me FBI-në, të spiunëve rusë, të cilët janë dëbuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2010, arrestimi i Yevgeny Buryakovit dhe akuzat kundër tij dhe bashkëfajtorëve, e bëjnë të qartë se më tepër se dy dekada prej përfundimit të supozuar të Luftës së Ftohtë, spiunët e Rusisë vazhdojnë të synojnë të operojnë të fshehur në mesin tonë”, tha Bharara.
Moska e ka kritikuar arrestimin e Buryakovit, duke i akuzuar amerikanët se po ndërmarrin “fushatë antiruse” dhe po “i ripërtrijnë praktikat e tyre favorite të rritjes së pasioneve për spiunim”.
Buryakov përfundimisht e pranoi fajësinë dhe është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, në maj të vitit 2016.