Hillary Clinton ka thënë se është “thellësisht e shqetësuar” me dyshimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar dhe ka bërë thirrje për një hetim të pavarur dhe për marrjen e masave që një gjë e tillë të mos ndodhë më.
Duke folur në Nju Jork në një samit për çështjen e grave, ish-kandidatja demokrate për presidente, ka thënë se Rusia ka synuar të krijojë “mosbesim dhe konfuzion”, duke pirateruar dhe më pas publikuar në media emailat e saj dhe të partisë së saj.
“Besoj se kjo që na është bërë ne është akt i agresionit dhe ështe kryer nga një fuqi e huaj, që është nën kontrollin e një personi që ka dëshirë të dominojë Evropën dhe të na dëmtoj ne”, tha ajo duke iu referuar presidentit rus, Vladimit Putin.
Clinton tha se Kogresi duhet të lë anash ndasitë partiake dhe të formojë një komision të pavarur, jopartiak, për të hetuar këtë çështje dhe për të ndërmarrë masa që ndërhyrje të tilla të Rusisë të mos ndodhin më. Në të kundërtën, tha ajo, “ata do të kthehen”.
E pyetur për 100 ditëshin e presidencës së Donald Trumpit, Clinton tha se nuk ndjen “asnjë kënaqësi kur shoh këtë funksionim kaotik”, në Shtëpinë e Bardhë.