Ndërlidhjet

Tensione në Listën Serbe, nuk dihet kush është kryetari, Jabllanoviq apo Simiq


Takimi i Listës Serbe nis me tensione, fyerje e akuza
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:37 0:00

Paralajmërimet se Aleksandar Jabllanoviq mund të merr kreun e Listës Serbe e kanë shtyrë këtë subjekt politik në debate, polemika e tensione të shumta.

Lista Serbe është mbledhur në sallën e Grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës, por takimi është përshkuar me tensione, fyerje e akuza.

Ishte Sllobodan Petroviq ai i cili ka sulmuar verbalisht zëvendëskryeministrin e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviq dhe kryetarin e Listës Serbe Sllavko Simiq. Ky i fundit, nuk e kishte ftuar në takim Sllobodan Petroviqin. Po ashtu, aty nuk është parë as Aleksandar Jabllanoviqi.

“Kush je ti..., ti je turpi dhe poshtërimi më i madh për bashkësinë serbe...”, ishin fjalët që Petroviq ia drejtoi Simiqit. Kurse Simiq dhe Stojanoviq i kërkuan Petroviqit që të lëshonte sallën.

Takimi udhëhiqej nga Sllavko Simiq. Ndërkaq debatet dhe polemikat vazhduan ndërmjet Simiqit dhe Stojanoviqit në njërën anë dhe Petroviqit në anën tjetër.

“Ti dhe Jabllanoviq po bëni cirk, kështu që ulu ose dil jashtë”, iu drejtua Simiq, deputetit Petroviq

Ndërkohë, Petroviq thumboi sërish dy krerët e Listës Serbe, duke u thënë se ‘keni dalë nga zarfi dhe nuk i keni votat e popullit’.

“Kur i merr votat, eja këtu”, iu drejtua Petroviq, Simiqit.

Në një moment, Petroviq dhe Stojanoviq janë ngritur në këmbë, kurse në sallë është parë edhe sigurimi. Megjithatë, të pranishmit i kanë qetësuar të dy përfaqësuesit serb.

Pas acarimeve në sallë takimi është mbyllur për mediat.

Lista Serbe ishte mbledhur në këtë takim urgjent për të shqyrtuar zhvillimet e brendshme në këtë subjekt politik.

Ditë më parë, është raportuar se ish- ministri në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, do të marrë detyrën e shefit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Jabllanoviq kthehet në këtë detyrë të cilën e ngriu deri sa ishte në detyrën e sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punës të Republikës së Serbisë.

Detyrën e kryetarit të Listës Serbe në Kosovë e ka ushtruar Slavko Simiq, por babai i Aleksandar Jabllanoviqit, Dragan Jablanoviq thotë se i vetmi kryetar i regjistruar në KQZ në Kosovë është i biri i tij, Aleksandri.

Pas takimit të mbajtur, Sllobodan Petroviq tha para medieve se takimi i thirrur ishte jo legjitim, ngase aty ishin ftuar vetëm njerëz të caktuar të Listës Serbe. Ai ka akuzuar Sllavko Simiqin se po i zëvendëson ministrat sipas dëshirës së tij.

“Gjashtë muaj ishim jashtë institucioneve dhe në ditën e parë kur u kthyem, kuptuam nga mediat se janë ndërruar zëvendësit tanë, se janë ndërruar anëtarët tanë”, ka thënë Petroviq, duke akuzuar Simiqin për vendime të njëanshme.

“Nënçmimi më i madh për bashkësinë serbe në Kosovë është që Sllavko Simiq të jetë kryetar. E pastaj edhe të gjithë ne që për tri vite jemi këtu si përfaqësues të serbëve dhe asgjë nuk kemi bërë përveç luftës që kemi bërë se kush, cilin kolltuk do ta merr dhe cilën pozitë”, ka thënë Petroviq.

Sipas tij, Aleksandar Jabllanoviq është kryetari legjitim i Listës Serbe, ngase ai ishte edhe themelues i saj.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq tha se nuk bëhet fjalë për përçarje të listës Serbe, por individ që duan t’i vënë interesat e tyre para bashkësisë serbe.

“Ata që nuk sillen në harmoni me politikën e Listës Serbe do të sanksionohen, sikurse ka ndodhur deri më tani”, ka deklaruar Stojanoviq.

“Deri dje, Sllavko Simiq ishte i vetmi person i autorizuar në KQZ dhe askush nuk mundi ta zëvendësonte. Por, dikush brenda natës, me siguri për ndonjë vullnet politik apo ide e krijoi këtë hapësirë", ka thënë Stojanoviq.

Përderisa vet Sllavko Simiq tha në kohën kur po tentohet të emërohet ministri i Pushtetit Lokal në mënyrë që të nis procesin e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, duket se ky hap nuk po u pëlqen Petroviqit dhe Jabllanoviqit.

“Jam i bindur që një gjendje e tillë më së shumti u përshtatet atyre, të cilët janë këtu në Prishtinë e të cilët në vazhdimësi duan që të bëjnë pengesa në mënyrë që të zvarritet formimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë Simiq.

Lista Serbe është themeluar më 2014 me mbështetjen politike të Beogradit. Ajo doli si një lloj produkti politik i marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për përfshirjen e serbëve në zgjedhjet e atëhershme lokale në Kosovë.​ (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG