Ndërlidhjet

Liberalizohet tregu energjetik – KEDS nuk është më i vetmi operator 


Pamje nga Termocentrali Kosova A, foto nga arkivi
Pamje nga Termocentrali Kosova A, foto nga arkivi

Tregjet e hapura apo të liberalizuara të energjisë elektrike do të sjellin rritje të konkurrencës në mes të akterwve në tregun e Kosovës, duke ndikuar kështu edhe në ngritje të cilësisë, thonë përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Liberalizimi i tregut energjetik në Kosovë ka nisur në fillim të këtij muaji.

Këtij procesi i ka paraprirë miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energji në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, ligje këto në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian.

Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Rregullatorit për Energji, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se liberalizimi i tregut i mundëson konsumatorëve që të zgjedhin në mes furnizuesve (operatorëve) të ndryshëm që operojnë në treg.

Gjenerimi i energjisë dhe furnizimi do t’i nënshtrohen tregut të lirë dhe roli i Rregullatorit do të jetë mbikëqyrës, duke siguruar se të gjithë aktorët zbatojnë rregullat e tregut të lirë dhe nuk lidhin marrëveshje në dëm të interesit të konsumatorëve. Me këtë qëllim, tashmë ZRRE ka licencuar edhe dy furnizues të tjerë përveç KESCO Sh.A,HEP sh.a dhe GSA sh.a”, thekson Murtezaj – Bajrami.

Ndërkohë distribuimi dhe transmisioni si bartës të energjisë elektrike janë funksione monopolistike dhe do të jenë gjithmonë të rregulluara. Përderisa prodhimi dhe furnizimi i energjisë do të jenë funksione që i nënshtrohen tregut të lirë.

Për operatorin e transmisionit dhe distribucionit, ZRRE do të vazhdojë të përcaktojë të hyrat e lejuara maksimale, në mënyrë që të sigurohet se konsumatorët janë të mbrojtur dhe ngarkohen vetëm për funksionet që këto kompani kryejnë sa i përket transmetimit dhe distribuimit të energjisë. KEDS si operator i rregulluar do të jetë i obliguar me ligjet, rregullat dhe kushtet e licencës, që të ofrojë kushte të njëjta për të gjithë operatorët që janë licencuar dhe dëshirojnë të kryejnë funksionet e furnizimit me energji elektrike”, ka theksuar Muretzaj-Bajrami.

Iniciativën për fillimin e liberalizimit të tregut në fushën e energjisë e ka përkrahur edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Megjithatë, ata kanë kërkuar që gjatë licencimit të operatorëve të rinj, të konsultohet Ligji për mbrojtjen e konkurrencës, i cili ndalon marrëveshjet në mes ndërmarrjeve, të cilat, në veçanti kanë të bëjnë me përcaktimin e çmimit në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë.

Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky liberalizim i jep mundësi konsumatorëve të përzgjedhin kompaninë e cila është më e favorshme për ta.

Me liberalizim nënkuptohet mundësia që konsumatori të ketë mundësi zgjedhjeje të kualitetit dhe çmimit më të arsyeshëm, në të kundërtën fiksimi i çmimit dhe ndarja e tregut nuk janë dhe nuk konsiderohet liberalizim i tregut”, ka theksuar Prestreshi.

Në anën tjetër Rinora Gojani, menaxhere e programit në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, thotë se një treg i liberalizuar i energjisë elektrike ju krijon konsumatorëve një siguri më të madhe për furnizim.

Kosova është një vend i cili mbështetet shumë nga energjia nga thëngjilli dhe kjo do të bëjë që të kemi një energji të diversifikueshme.Është një hap që është dashur të fillonte më parë, por mirë që po fillon edhe tani. Liberalizimi i tregut nuk është një event i cili ndodh një herë, por është një procedurë, kështu që kemi shumë për të bërë në këtë proces”, thekson Gojani.

Sa i përket çmimeve të energjisë elektrike Gojani thonë se nuk duhet pritur ulje të çmimit, pasi që energjia është një produkt i shtrenjtë, por sipas saj është e rëndësishme që çmimet që ofrohen të jenë të arsyeshme, transparente dhe të reflektojnë koston e shërbimit.

Aktualisht 85 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike varet nga prodhimi i thëngjillit. Kosova vlerësohet si një ndër vendet më të pasura në botë më linjit. Prodhimi mesatar i thëngjillit, në Korporatën Energjetike të Kosovës, është rreth 8 milionë tonë në vit. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG