Ndërlidhjet

Lista Serbe e gatshme të bisedojë me Thaçin, por nuk e mbështet ushtrinë


Lista Serbe nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me nismën për themelimin e ushtrisë së Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tij, bisedimet për ushtrinë e Kosovës, të cilat i ka paralajmëruar presidenti Hashim Thaçi, nuk janë në interesin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura për ne nuk është fare temë për bisedime dhe se çdo diskutim për këtë çështje, për ne do të ishte vetëm humbje kohe”, tha Stojanoviq.

Ai tha po ashtu se mund të diskutohet me presidentin e Kosovës apo liderët tjerë vendor, por për ushtrinë, nuk ka hapësirë që të arritur ndonjë përparim në negociata.

Nisma për themelimin e ushtrisë së Kosovës, ka nënvizuar ai, u ka shërbyer liderëve kosovar vetëm për nevoja të brendshme, ngase kjo temë, sipas tij, nuk ka si qëllim zgjidhjen e problemeve me të cilat po ballafaqohen sot qytetarët e vendit.

Pas bojkotit prej gjashtë muajve, Lista Serbe është kthyer në institucionet e Kosovës, duke ruajtur kështu postet ministrore në qeveri dhe mandatet e deputetëve në Kuvend.

Kthimin e deputetëve serbë, e ka mirëpritur Qeveria e Kosovës e cila ka paralajmëruar se tani mund të arrihen 80 votat e nevojshme në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushti i fundit i vënë nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.

Por, Stojanoviq, thotë se Lista Serbe nuk ka ende një qëndrim të prerë rreth demarkacionit dhe ka kritikuar ata që llogarisin në votat e serbëve, sa herë që bllokohet ndonjë vendimmarrje.

“Atëherë kur nuk ka mundësi që brenda deputetëve shqiptarë të arrihet shumica, fajësia hidhet te serbët. Por, siç nuk kemi qenë fajtor në të kaluarën nuk do të jemi as në të ardhmen”, ka thënë Stojanoviq.

Një çështje tjetër për të cilën Lista Serbe thotë se do të angazhohet është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Themelimi i Asociacionit, është pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeverisës, por mbi të gjithat, thekson Stojanoviq, është edhe marrëveshje e arritur në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Tani, thotë ai, ka disa nisma që të bëhen pazare të reja mbi këtë çështje, por të cilat i konsideron të papranueshme.

“Ne nuk duam dhe nuk e kemi ndërmend që nga kjo të bëjmë pazare të reja, por insistojmë që dikush të zbatoj marrëveshjen e arritur dhe jo të bëjmë tash marrëveshje mbi marrëveshjet që tashmë i kemi bërë”, thotë Stojanoviq.

Sidoqoftë, Stojanoviq thotë se ishte ndikimi dhe trysnia ndërkombëtare ajo që i ka shtyrë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës.

Por, sipas tij, lidershipi i Kosovës deri më tani, kryesisht nuk i ka zbatuar zotimet dhe marrëveshjet, andaj ai dyshon se mund të ketë një harmonizim, për çështjet e cilësuara të rëndësisë të veçantë, edhe në të ardhmen. (REL)

Përgatiti: Zijadin Gashi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG