Ndërlidhjet

Liderët nëpër fushata partiake, institucionet pa vendimmarrje


Udhëheqësit më të lartë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë, i janë përveshur një fushate ende të pashpallur zgjedhore, që sipas analistëve politikë, po dërgon mesazhet se zgjedhjet e parakohshme, po shihen si opsion nga vet lidershipi i vendit.

Tubimet me qytetarë apo me degë e aktiva të partive politike janë bërë përditshmëri e udhëheqësve të institucioneve.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se orientimi kah agjendat partiake dëshmon se udhëheqësit e shtetit kanë dështuar në përmbushjen e agjendës dhe miratimin e çështjeve të rëndësishme për të cilat është krijuar koalicioni qeverisës me mbështetjen dhe përkrahjen ndërkombëtare.

Angazhimi politik në vend se të bëhet në institucione, po bëhet nëpër qytete të ndryshme, nëpër tubime partiake, nëpër shtëpitë e qytetarëve, të cilëve po u ofrohet alternativa qeverisëse nga partitë e ndryshme”.

Ndërkohë që alternativa qeverisëse për të cilën këta qytetarë kanë votuar, në fakt nuk po mund të zbatohet në praktikë”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Në fushatë, sipas Imer Mushkolajt, janë përfshirë si partitë në pushtet ashtu edhe ato në opozitë. Aktualisht, thotë ai, zgjedhjet po shihen si rrugë më e lehtë sesa miratimi i shumë çështjeve, për të cilat edhe është krijuar koalicioni aktual.

Duke pas parasysh se nuk po shihen shenja që kriza politike do të zgjidhet, përkatësisht situata të zhbllokohet, fatkeqësisht zgjedhjet po shihen si opsion i vetëm i mbetur, pavarësisht se mund të ndodhë që konfigurimi politik pas zgjedhjeve të mos pësojë ndryshime të mëdha”, thotë Mushkolaj.

Gjatë dy vjetëve të fundit, aktivitetin kryesor për të çuar vendin në zgjedhje e kanë zhvilluar partitë opozitare.

Por, së fundmi, sipas analistit nga Demokraci Plus, Driton Selmanaj, një fushatë të fuqishme po e zhvillon edhe Partia Demokratike Kosovës (PDK) dhe lideri i saj Kadri Veseli, me çka, thekson ai, po i dërgohet mesazh Lidhjes Demokratike të Kosovës se qëndrueshmëria e koalicionit është vënë në pikëpyetje.

Në fakt, aktivitetin më të madh po e shohim të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe unë mendoj se me këtë ai po tenton t’i arrijë dy qëllime, e para për ta përgatitur veten si lider i të ardhmes ose edhe për t’iu thënë njerëzve në Kosovë se unë jam kryeministri i ardhshëm i këtij vendi, dhe e dyta mendoj për të bartur mesazh te partneri i koalicionit (LDK-ja) që të mos ndihet rehat në asnjë sekondë sepse ai mund ta kërcënojë ekzistencën e këtij koalicioni sa herë që ai mund ta bëj një gjë të tillë”, tha Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.

Koalicioni aktual, thekson Selmanaj, për Partinë Demokratike të Kosovës po shihet si i panevojshëm dhe se jetëgjatësia e kësaj Qeverie, është vetëm rezultat presioneve ndërkombëtare.

Partia Demokratike e Kosovës e sidomos Kadri Veseli, pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president, vazhdimin e koalicionit me LDK-në e shohin absolutisht si të panevojshëm. Ata këtë koalicion e mbajnë më tepër për shkak të presioneve ndërkombëtare sesa nga dëshira e tyre. Në momentin që është zgjedhur Thaçi president, PDK e konsideron atë si post me mandat të plotë, kështu që më në asnjë rast nuk mund ta shohin që postin e kryeministrit ta mbajë Isa Mustafa (kryetar i LDK-së)”, thotë Selmanaj.

Sidoqoftë, koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, ku bëjnë pjesë edhe komunitetet jo shumicë, ishte mbështetur nga faktori ndërkombëtar, duke besuar se do të zbatonte të paktën tri qëllime: Fillimisht të themelonte Gjykatën Speciale, të cilin e ka përmbushur duke miratuar bazën e nevojshme ligjore. Së dyti, ta ratifikojë Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe së treti të zbatonte marrëveshjet nga dialogu me Serbinë, me theks të veçantë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dy qëllimet e fundit, koalicioni aktual nuk i ka përmbushur.

Për shkak të mospajtimeve dhe mungesës së zgjidhjeve politike rreth këtyre dy qëllimeve, vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës aktualisht është bllokuar. Madje, sipas analistëve, tani para koalicionit do të paraqitet edhe sfida e radhës, ajo e miratimit të Ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ushtarak, sipas propozimit të presidentit Thaçi, i cili, besohet se mund të përplasë politikën kosovare edhe me qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare.

Paaftësia për t’i zbatuar qëllimet kryesore, sipas analistëve politikë, mund të sjell si opsion zgjedhjet e parakohshme. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG