Koalicioni që po lufton për të rimarrë kontrollin e qytetit irakian të Mosulit nga grupi militant Shteti Islamik është afruar drejt fundit. Më herët gjatë këtij viti, forcat e koalicionit kanë arritur të marrin Mosulin Lindor (qyteti është i ndarë në dysh nga Lumi Eufrat) dhe tashmë janë duke luftuar për të marrë pjesën perëndimore.
Sipas Brett McGurk, i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për koalicionin botëror kundër IS-it, grupi ekstremist është i zënë në kurth.
“Netë më parë, Divizioni i Nëntë i ushtrisë irakiane, pranë Badush, në veriperëndim të Mosulit, ka ndërprerë rrugën e fundit që të mundëson daljen nga Mosuli”, ka thënë ai javën e kaluar.
“Çdo luftëtarë që ka mbetur në Mosul do të vdes aty sepse ata janë të bllokaur. Prandaj ne jemi të përkushtuar, jo vetëm që t’i mposhtim ata në Mosul, por të sigurohemi që këta persona të mos ikin nga qyteti”, ka thënë ai.
Progresi ka qenë i ngadalshëm por për një arsye të mirë. Siç thekson edhe James Miller, redaktor në revistën The Interpreter :“Koalicioni është duke vepruar shumë kujdeshëm. IS-i po sulmon me sulmues vetëvrasës, me sulme me makina me eksplozivë të improvizuar, snajpera dhe duke sulmuar ushtarët me mina".
"Si rezultat i kësaj, progresi është i ngadalshëm- që është gjë e mençur sepse mposhtja ushtarake e IS-it, ka të bëjë me siguri dhe çdo humbje e koalicionit është vetëm ushqim për propagandën e tyre dhe goditje e madhe për moralin e koalicionit. Së dyti, aty është edhe balanca në mes të lirimit të shpejtë të civilëve dhe shmangjes së luftimeve të ashpëra të cilat mund të vrasin cvilët... Realiteti është se IS-i është pushtues dhe civilët janë mburoja njerëzore por IS-i duhet të mposhtet dhe nuk duhet lejuar që të shpërndahet”, thotë Miller.
Në të vërtetë, forcat e koalicionit duhet të jenë të vëmendshëm nga arsyeja e tretë, ndoshta më e madhja nga të gjitha. Mbrojtja e jetëve të ushtarëve të tyre, natyrisht se është padyshim i një rëndësie të madhe por betejat ushtarake në terren kundër IS-it në Mosul, në fund do të prodhojnë vetëm një fitues.
Çështja është se çfarë më pas- dhe për këtë Miller parashikon kur ai flet për nevojën për të evituar viktimat e mëdha të civilëve.
Mbrotja e jetës së civilëve konsiderohet princip udhëheqës i nevojshëm moral për çdo ushtri dhe bën që çdo kush që dëshiron të luftojë armikun drejt ta dënojë këtë gjë si një kult të vdekjes barbare. IS-i duhet të mposhtet por duhet të mposhtet nga forca që kundërshon praktikat e neveritshtme. Drejtësia duhet të jetë një strategji e luftës. Ky është një konflikt sa moral po aq edhe ushtarak.
Por, kjo çëshje është e komplikuar në rastin e ofensivës në Mosul. Forcat e sigurisë irakiane, valvisin lirshmë flamujt të shiitëve mbi autoblindat e tyre- imazhi i Alisë, një figurë kyçe shiite, është i kudogjendur në terren. Për t’i bërë gjërat më keq, përkrah forcave të sigurisë irakianë luftojnë edhe milicitë shiite që kanë lidhje me Iranin, të cilat janë shumë sektare.
Këto milici në disa raste më herët kanë masakruar popullsinë sunite, në qytetet që tashmë po i “çlirojnë” nga IS-i. Viktimat e mëdha në civilë duhet të shmangen, me qëllim që popullsia shumicë sunite e Mosulit, të mos ndjekë hapat e shumë sunitëve irakianë që janë përballur me persekutimin e shiitëve dhe të rreshtohen pranë flamurit të zi.
Kur IS-i të largohet nga Mosuli, do të ketë nevojë për ushtarë më shumë se kurrë. Mënyra më e mirë që IS-i të përfitojë rekrutë të rinj është nëse Mosuli merret nën kontroll duke mos përfillur fare jetën e njerëzve- posaçërisht të sunitëve. Nëse kjo gjë ndodhë, forcat e koalicionit do ta marrin nën kontroll Mosulin por do t’i japin mundësi IS-it që të tërhiqet në shkretëtirë. Dhe kur të tërhiqet në shkretëtirë, sipas të gjitha pretendimeve, ai do të tërhiqet. Siç vëren Miller :
“Shteti Islamik vë theks shumë të madh në ‘daëla’, territorin e tyre fizik. Ka qenë propaganda e tyre kryesore për të tërhequr rekrutë të rinj. Tash kalifati, pra ‘shteti’ fizik, është dënuar që të dështojë... por ata kanë treguar se mund të ngadalësojnë avancimin e koalicionit në qytetet e mëdha. Pas Mosulit, koalicioni do të vazhdojë të avancojë drejt perëndimit të Sirisë, dhe unë pres që të këtë po të njëjtën rezistencë edhe në qytetet e tjera të mëdha në Siri, si në Al-Bukamal, Deir ez-Zour dhe natyrisht, në kryeqytetin e tyre, në Raka”.
Megjithatë, IS-i ka probleme serioze: është i rrethuar, nuk mund të rekrutojë të huajt. Ditët e lumtura të 2014-ës dhe fillimit të 2015-ës – kur dukej se ishte forcë e pandalshme dhe arrinte të rekrutonte mijëra persona çdo muaj- duken shumë të largëta.
IS-i do të humb kalifatin fizik por grupi nuk do të zhduket. E kundërta, luftëtarët e tij do të zhduken në shkretëtirë dhe prej atje do të luftojnë. Ata do të heqin dorë nga të luftuarit si ushtri e kuazi-shtetit dhe do të luftojnë si grup terrorist, të tillë siç kanë qenë gjithmonë. Dhe kjo nuk do të ndalojë. Xhihadizmi salafi është më i fortë se kurrë- ashtu siç e dëshmojnë sukseset e talibanëve dhe Al-Kaidës.
Krahas fuqive ushtarake duhet të vijnë fuqitë e buta; krahas armëve duhet të vijnë fjalët. Forcat e koalicionit duhet të shtyjnë përpara një mesazh të fuqishëm- një kundërtregim ndaj tregimit të IS-it për viktimizimin e sunitëve dhe tradhëtisë së shiitëve dhe Perëndimit.
Për këtë, është e rëndësishme që forcat në Lindjen e Mesme të udhëheqin betejën kundër kësaj.Aktorët kryesor në rënien e kësaj çështje janë sunitët, shiitët dhe kurdët dhe nuk janë forcat britanike, turke dhe amerikane.
Ata që e kanë krijuar IS-in janë mposhtur më herët në Irak por janë rikthyer- në një formë më të sofistikuar dhe më të rrezikshme- për shkak se ata ishin në gjendje të krijojnë një tregim që u fliste shumë irakianëve dhe sirianëve. Atyre u thanë se forcat e huaja dhe sektariane janë përgjegjës për të gjitha fatkeqësitë e tyre; dhe edhe njëherë, ata po kërkojnë që ta shfrytëzojnë rajonin dhe ta pushtojnë Lindjen e Mesme. Ky gabim nuk duhet të përsëritet.
Miller thotë në fund se “sektarizmi dhe tregimi se Shtetet e Bashkuara po bëjnë luftë kundër islamit, ose të paktën kundër islamit sunit, janë armiqtë më të rëndësishëm që duhet mposhtur. Dhe ata, nuk mund të vriten me bomba”.
*Pikëpamjet e paraqitura në këtë material, nuk reflektojnë domosdosmërisht pikëpamjet e REL-it.
Facebook Forum