Ndërlidhjet

Dialogu ndëretnik në Kosovë, i bazuar në interes


Ekspozitë e përbashkët e të rinjve nga Kosova e Serbia (Foto arkiv)
Ekspozitë e përbashkët e të rinjve nga Kosova e Serbia (Foto arkiv)

Derisa në Bruksel për vite të tëra zhvillohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vendit po bëhen përpjekje që të vendoset dialogu ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Derisa njëra palë mendon se ky dialog është në nivel të kënaqshëm, tjetra megjithatë vlerëson se ndarja etnike është e thellë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për herë të parë ka mbajtur një debat publik me mediet serbe dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Çagllavicë të Prishtinës, ku ka folur për zhvillimet nëpër të cilat po kalon Kosova, përfshirë edhe ushtrinë dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pasurinë e Kosovës.

Thaçi ka thënë se serbët e Kosovës shumë herë kanë qenë konstruktivë dhe të gatshëm për bashkëpunim, por Beogradi është ‘destruktiv në marrëdhëniet me Kosovën’.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë debatit në Çagllavicë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë debatit në Çagllavicë

“Ne do të vazhdojmë edhe më tutje me debatet e tilla. Do të komunikoj me të gjitha bashkësitë. Do të jem i qasshëm për të gjitha mediet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, që të punojmë së bashku në ndërtimin e atdheut tonë të përbashkët”, ka theksuar Thaçi.

Megjithatë, cili është niveli i dialogut ndëretnik në Kosovë?

Drejtoresha e një rrjeti të organizatave joqeveritare CIVIKOS, Valdete Idrizi, thotë se gjendja është e kënaqshme dhe se dialogu po avancon nga viti në vit.

“Gjithandej Kosovës mund të shihet bashkëpunim i ndryshëm. Nuk bëhet fjalë gjithmonë vetëm për bashkëpunimin ndërmjet organizatave, por ekzistojnë edhe nisma të përbashkëta që kanë interes të përbashkët. Ky bashkëpunim është i pranishëm në të gjitha komunat ku jeton një popullatë e etnive të ndryshme”, thotë Idrizi.

Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës për paqe dhe tolerancë, Nenad Maksimoviq, thotë se dialogu ndëretnik ndërmjet përfaqësuesve të akademisë, institucioneve dhe aktorëve politikë në nivelin lokal nuk ka ndodhur posaçërisht për shkak të ngarkesës me dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dallimi etnik është jashtëzakonisht i lartë. Niveli i interaktivitetit të bashkësisë është ulur në nivel të interesit dhe jo në nivel të miqësisë personale dhe bashkëpunimit normal. Numri i martesave të përziera është në një nivel të gabimeve statistikore, kurse lidhjet publiket të bashkësive të ndryshme janë absolutisht të vogla".

"Në fakt, çdo nivel i asaj marrëdhënieje të sinqertë përfundon brenda katër mureve. Është e nevojshme që individë të guximshëm dhe organizata të flasin hapur, dhe ndoshta pak më shumë mirëkuptim për pozitën e bashkësisë së pakicave në Kosovë”, thotë Maksimoviq për Radion Evropa e Lirë.

Shkolla "Rock", në Mitrovicë
Shkolla "Rock", në Mitrovicë

Valdete Idrizi mendon se shumë organizata kanë gjetur interesa të përbashkëta për bashkëpunim siç janë Shoqatat e të pagjeturve të shqiptarëve dhe serbëve dhe madje edhe para dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu të rinjtë e Mitrovicës në jug e veri ka vite që bashkëpunojnë me ndërmjetësim të shkollës “Rock”.

“Nuk mund të themi se gjithnjë të gjitha grupet bashkëpunojnë, por mendoj se bashkëpunimi ekziston megjithatë”, thotë Idrizi.

Nga ana tjetër, bashkëpunimi kulturor ndërmjet shqiptarëve nga Kosova dhe serbëve të Serbisë mund të thuhet se është më i fortë se ndërmjet dy bashkësive brenda Kosovës.

Artistët janë takuar në takime letrare, në bashkëprodhime teatrore dhe në projektet që janë prezantuar gjithandej rajonit.

Një nga shembujt e bashkëpunimit kulturor ishte edhe festivali “Do you read me”, në organizim të organizatës joqeveritare “Community building” nga Mitrovica, Qendrës multimediale ne Prishtinë dhe festivalit beogradas “Krokodil”, ose edhe shfaqja teatrore shqiptaro-serbe “Romeo dhe Xhulieta” në bashkëprodhim i Punëtorisë së Integrimit nga Beogradi dhe Qendrës Multimediale në Prishtinë.

Bashkëpunimin e realizojnë edhe nismat e të rinjve për të drejtat e njeriut të Kosovës dhe Serbisë.

Përgatiti: Arbër Vllahiu

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG