Prokuroria Speciale Publike në Maqedoni, në kuadër të prezantimit të raportit të tretë gjashtëmujor për punën e saj, që kap periudhën prej shtatorit të vitit të kaluar e deri në mars të këtij viti, ka bërë të ditur se ka hapur gjithsej 68 procedura hetimore, përderisa numri i përgjithshëm i personave që po hetohen ka arritur në 112 të dyshuar për 160 vepra të ndryshme penale.
Ajo ka thënë se ka arritur të analizojë 45% të materialit të përgjithshëm që përmbajnë bisedat e përgjuara. Por, Prokuroria Speciale Publike akoma nuk i ka hapur rastet të cilat konsiderohen me interes për shqiptarët si Sopoti, Monstra, Brodeci dhe Kumanova si dhe rastet e tjera me, siç vlerësohet, prapavijë politike.
Prokuroria ka kërkuar miratimin e një ligji që do të garantojë më shumë siguri për dëshmitarët e mbrojtur.
Ndërkohë, analistët politikë në Maqedoni, thonë se funksionimi i shtetit ligjor mbetet rruga e vetme që Maqedonia të dalë nga ngërçi politik. Komentet e tyre pasuan raportin e fundit të Prokurorisë speciale Publike në të cilin theksohet se edhe në gjashtë mujorin e tretë të funksionimit, ky institucion është përballur me probleme të shumta në bashkëpunimin me institucionet e gjyqësorit.
Drejtuesi i Qendrës për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim-Maqedoni, Selim Ibrahimi, konsideron se Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve të cilin e ka kërkuar Prokuroria Speciale, duhet ta votojë parlamenti që në seancat e para. Sipas tij, në këtë mënyrë i kontribuohet sigurisë së vendit me atë që shqiptarët do të kthejnë besimin në institucionet shtetërore.
“Zbardhja e rasteve të cilat kanë karakter politik do të ndikojnë që situata e brendshme në Maqedoni të relaksohet. Partitë politike duhet të reflektojnë me përgjegjësi në këtë moment dhe i gjithë shteti duhet të transformohet duke u çliruar nga direktivat politike dhe këto rate të ndriçohen duke marrë një epilog gjyqësor. Duhet eliminuar të gjitha dyshimet që janë shfaqur rreth këtyre rasteve”, thotë Ibrahimi.
Tito Petkovski ish kryetar i Komisionit parlamentar për mbikëqyrje dhe ndjekje të komunikimeve, për Radion Evropa e Lirë thotë se ligjet në Maqedoni nuk paraqesin pengesë për ndjekjen penale të të gjithë atyre që janë përfshirë në aktivitete kriminale. Por, sipas tij problemi qëndron në mos zbatimin e tyre.
Petkovski si shqetësim ngre politizimin e skajshëm të sistemit gjyqësor në Maqedoni.
“Në ingerenca të Prokurorisë Speciale Publike është ngritja e procedurave në gjykatë për të gjitha rastet që Specialja ka siguruar dëshmi se zyrtarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në aktivitete kriminale. Tanimë me muaj shohim se i gjithë procesi ngec në gjykata të cilat punojnë me direktivë të krerëve të VMRO DPMNE-së. Pikërisht ata të cilët akuzohen për përfshirje në aktivitete kriminale. Maqedonisë i duhet një qeveri e cila do të angazhohet për funksionimin e shtetit ligjor”, thekson Tito Petkoski.
Një zotim për krijimin e një shteti ligjor ka dhënë gjatë prezantimit të programit qeveritar, kryetari i Social Demokratëve Zoran Zaev i cili ka premtuar një sistem gjyqësor të pavarur dhe efikas, ku partitë do të mbeten jashtë gjykatave.
Për të shmangur pengesat me të cilat përballet specialja, Zaev ka premtuar formimin e një departamenti special në gjykatë që do të merret me lëndët që i ka ngritur Prokuroria speciale publike. (REL)