Ndërlidhjet

Shëndetësia kërcënon me protesta dhe greva


Sindikata e shëndetësisë në Kosovë i ka dhënë Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë një afat prej dy javësh, që të përmbushë një varg kërkesash, siç i ka quajtur, ‘minimale’ përfshirë edhe rritjen e pagave prej 15 për qind, në të kundërtën kanë paralajmëruar grevë dhe bllokim të sistemit të shëndetësisë.

Sindikalistët thonë se kërkesat kanë të bëjnë me mirëqenien sociale të punonjësve të sektorit të shëndetësisë, por njëkohësisht edhe me qytetarin.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, i tha Radios Evropa e Lirë se kërkesat sindikaliste përfshijnë rinegociimin e Ligjit për pagat si dhe rritjen e tyre meqë, siç thotë, “ka tre vjet që nuk ka pasur rritje”.

"Kemi kërkuar që Ligji për pagat të hidhet poshtë në tërësi dhe pagat të rriten në 15 për qind. Të vlerësohet rrezikshmëria në vendin e punës. Qendrat e Mjekësisë Familjare kanë mbetur peng i politikave ditore dhe të fillohet ndryshimi i ligjit dhe duhet të kemi një status të përbashkët. Sigurimet shëndetësore të ulen nga 7 në 4 për qind dhe përmirësohen kushtet e punës në sistemin shëndetësor".

"Ne kemi kërkuar gjithashtu Ligjin për Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, në mënyrë që të dihet se kush e furnizon sistemin shëndetësor, si dhe kemi kërkuar nga Qeveria të pajisemi me aparatura, pasi duam të ofrojmë shërbime cilësore për pacientë”, tha Syla.

Kryesindikalisti i shëndetësisë i cilësoi kërkesat si minimale dhe njëkohësisht tha se nëse brenda dy javësh nuk do të ketë lëvizje drejt përmbushjes së tyre, “do të nisin protestat dhe më pas greva” që, siç tha, ‘mund të jetë e paparashikueshme’.

Por, zyrtarët e institucioneve të vendit thonë se kanë pranuar kërkesat, ndërkohë që zëvendësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku theksoi se ato po shqyrtohen dhe se me kohë do të shihet se sa do të mund të plotësohen.

"Ne kemi pranuar kërkesat e sindikatës. Në Ministri kemi një grup punues që merret me zhvillimin e dialogut social me sindikatën. Por, megjithëkëtë, ministri i Shëndetësisë vet i ka zhvilluar takimet me qëllim të bashkëpunimit” tha Sadiku.

Ai tha se kërkesat e pranuara do të analizohen dhe së bashku me sindikatën do të shqyrtohen.

“Disa kërkesa janë për ministrinë e disa të tjera janë të Qeverisë së Kosovës”, tha Sadiku.

Zëvendësministri Sadiku, tha se gjatë dy viteve të fundit janë në negociata me Federatën Sindikale të Shëndetësisë dhe shfaqi shpresën e tij se nuk do të vijë deri tek greva dhe bllokimi i sistemit shëndetësor.

"Unë mendoj që sindikata ka të drejtë të bëjë kërkesa dhe ne do t’i analizojmë ato. Besoj se nuk do të vijë deri tek greva pasi ne kemi qenë qe dy vjet në negociata dhe do të gjejmë një zgjidhje bashkërisht”, tha Sadiku.

Por, për Sindikatën e Shëndetësisë gjendja në sistemin shëndetësor është e rëndë dhe kryetari i Sindikatës, Blerim Syla, thotë se i gjithë sistemi prej shumë vitesh është lënë anash duke e sjellë “në një gjendje të pa lakmueshme”.

''Duke u marrë me mega politika jemi duke shkuar drejt dështimit në shëndetësi. Mendoj se popullata jonë meriton më shumë'', thotë Syla.

Sipas kërkesave të parashtruara thuhet se mjekët specialistë kanë kërkuar që pagat e tyre të ngriten në një nivel me deputetin e Kuvendit të Kosovës. Paga e një deputeti në Kosovë sillet në 1500 euro derisa mjeku specialist paguhet rreth 600 euro në muaj.

Një ligj për pagat që është paraparë të kalojë në Kuvend, parasheh që mjekët specialist të radhiten në koeficientin 2.7 në një shkallë prej 1 deri në 11. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG