Toleranca dhe mirëbesimi janë kultivuar për shekuj me radhë në Kosovë dhe të rinjtë e këtij vendi nuk duhet lejuar të indoktrinohen dhe përfshihen në luftërat në Siri e Irak, në krah të atyre që promovojnë ekstremizmin fetar që shpie në terrorizëm.
Këto komente u bënë gjatë një konference shkencore të titulluar “Myslimanët shqiptarë në Ballkan”, të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Liga e Botës Islame.
Pjesëmarrës në këtë konferencë kanë theksuar se po punohet në edukimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun dhe pasojat që lë ekstremizmi i dhunshëm, derisa kanë theksuar se qytetarët e Kosovës, të cilët iu bashkuan organizatave terroriste në Siri dhe Irak, u manipuluan.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se Bashkësia Islame është e angazhuar fuqishëm që në Kosovë të krijohen kushte dhe ambient i sigurt për të gjithë.
“Jemi dëshmitarë që në vitet e fundit feja është keqpërdorur për interesa të ndryshme dhe kjo ka bërë që të kemi interpretim të fesë për qëllime dhe agjenda nga më të ndryshmet dhe kështu, në emër të fesë, janë shkaktuar konflikte, janë bërë krime të tmerrshme”.
“Të gjitha i kemi parë pasojat e të ashtuquajturit shtet islamik. Për fatin tonë të keq edhe vendi ynë nuk ke imun ndaj kësaj ideologjie ekstremiste. Një grup i të rinjve iu bashkuan atyre sigurisht të manipuluar, të vënë në lajthitje, të painformuar sa duhet dhe pa një formim adekuat fetar”, ka theksuar Tërnava.
Ai ka shtuar se është detyrë e Bashkësisë Islame dhe institucioneve të Kosovës në përgjithësi, që të kujdesen për qytetarët e vendit që të mos bien pre e rrymave që fenë e përdorin si mjet mobilizues për ideologji ekstreme që shpie në dhunë dhe terrorizëm.
Ndërkohë, sekretari gjeneral i Ligës së Botës Islame, Muhamed Bin Abdel Kerim el Isa, ka theksuar se populli mysliman shqiptar nga Kosova është një populli i civilizuar, i cili ka dëshmuar se e ka praktikuar fenë në mënyrë moderne dhe tolerante.
“Populli mysliman shqiptar nga Kosova është një popull i civilizuar, i cili ka dëshmuar se e ka praktikuar fenë në mënyrë moderne dhe tolerante. Shqiptarët e Kosovës kanë dëshmuar se si përjetohet islami modern në qendër të Evropës. Populli shqiptar mysliman ka dhënë një shembull të mirë të bashkëjetesës dhe shembull të mirë të tolerancës ndër popujve dhe të feve”, ka theksuar Muhamed Bin Abdel Kerim el Isa.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pjesëmarrës në këtë konferencë, ka theksuar se Kosova është shembull i tolerancës ndërfetarë dhe se nuk do të lejojnë që kjo të humbet.
“Feja islame është shumë e rëndësishme, prandaj, të gjithë ne, së bashku, nuk do ta lëmë atë në duart e injorantëve, fanatikëve dhe abuzuesve kushdo qofshin ata. Ne nuk do të lejojmë që ndjenjat e sinqerta të besimtarëve tanë të abuzohen dhe ëndrrat e të rinjve tanë të manipulohen”, ka thënë Veseli.
Ai ka shtuar se Republika e Kosovës garanton standardet më të larta të mbrojtjes së lirive fetare dhe që së shpejti do të miratohet edhe Ligji i ri për Bashkësitë fetare në Kosovës, nëpërmjet të cilit do të avancohet hapësira e të drejtave dhe lirive të këtyre bashkësive.
Kosova ishte përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në luftërat në Siri dhe Irak.
Deri më tani, sipas autoriteteve të sigurisë, janë regjistruar rreth 316 persona që kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ndodhen edhe 140 të tjerë.
Thuhet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri më tani rreth 40 veta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.(REL)
Facebook Forum