Ndërlidhjet

Miratohet rezoluta për pezullimin e dialogut me Serbinë deri në lirimin e Haradinajt


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkohet pezullimi i dialogut me Serbinë, deri në lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet nën masën e lirimit me kusht, në Colmar të Francës.

Rezoluta është propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe është mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare, në pushtet dhe opozitë, përveç Listës Serbe, e cila i bojkoton punimet e Kuvendit të Kosovës.

Teksti i rezolutës, është harmonizuar nga përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare dhe është prezantuar në Kuvend, nga deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga BE-ja, që ta detyrojë Serbinë për t’i anuluar të gjitha aktakuzat dhe fletë-arreste të lëshuara nga Serbia, përmes Interpolit për shtetasit e Republikës së Kosovës”, lexoi tekstin e rezolutës, deputeti Lekaj.

Paraprakisht, gjatë debatit, rezoluta mori mbështetjen e grupeveparlamentare. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se reagimet e institucioneve të Kosovës nuk ndikuan që Haradinaj të lirohet, andaj edhe duhet të ndërmerren veprime shtesë.

“Partia Demokratike e Kosovës shfrytëzon këtë rast që të përsëris mospajtimin dhe shqetësimin për vazhdimin e ndalimit të Haradinajt në Francë. Konsiderojmë se tashmë është tepruar me gjithçka që ka ndodhur rreth tij, pavarësisht ftesave tona të vazhdueshme si institucione”, tha Pajaziti.

Po ashtu, rezoluta u mbështet edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Nisma për Kosovën, si dhe nga deputetët nga radhët e komuniteteve jo serbe në Kuvend.

Ndërkaq, me disa vërejtje, u paraqit Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas deputetit të saj Glauk Konjufca kishte insistuar në miratimin e një teksti edhe më të fuqishëm për rastin Haradinaj. Megjithatë, ai tha se e mbështet edhe këtë version të rezolutës.

“Krejt esenca është që të kushtëzohet Serbia që të hiqen fletë-arrestet. Që të mos ketë dialog me Serbinë pa u hequr fletë-arrestet. Këtu çështja u reduktua në kthimin e Haradinajt, ne pajtohemi, kjo është shumë mirë, por mos të pretendojmë që e kemi zgjidhur problemin”, tha Konjufca.

Sidoqoftë, rezoluta u miratua me 78 vota për dhe 1 kundër. Risia e kësaj rezolute, është kërkesa për pezullimin e bisedimeve me Serbinë, duke e ndërlidhë atë me rastin Haradinaj. Ishte vet Kuvendi i Kosovës që i kishte dhënë mbështetje fillimit të dialogut me Serbinë përmes një rezolute të miratuar në vitin 2011.

Ndalimi i Haradinajt në Francë, ndodhi më 4 janar, kur policia franceze e ndaloi atë mbi bazën e një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit, me pretendimet për krime lufte.

Gjykata franceze në Colmar, më pas mori edhe kërkesën e Prokurorisë Speciale të Serbisë për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, të cilën gjykata është duke e shqyrtuar, dhe pritet që vendimi i ardhshëm të merret më 6 prill. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG