Një numër grash dhe vajzash u mblodhën të mërkurën në sheshin kryesor të Prishtinës, në ditën Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në një marsh me moton “Marshojmë, S’festojmë!”
Njëra nga protestueset, Mejreme Dumnica, aktiviste për çështje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, në kuadër të organizatës Handikos, thotë se kërkesë themelore është ‘zhdukja e dallimeve gjinore’.
"Si përfaqësuese e femrave me aftësi të kufizuara, luftoj kundër diskriminimit në punësim në baza gjinore, dallimeve në punësim në përgjithësi ndërmjet meshkujve dhe femrave, e posaçërisht femrave me aftësi të kufizuar”.
Një nga aktivistet për të drejtat e grave, Safete Rugova, i tha Radios Evropa e Lirë se do të vazhdojë ta ngris zërin në mbrojtje të të drejtave të grave, posaçërisht për ‘avancimin e arsimimit të tyre’.
“Me ngrit zërin për të protestuar për gratë dhe vajzat, pasi më dhemb shpirti kur ka familje që thonë e dërgova djalin në shkollë por vajzën nuk kam mundësi. Edhe ato vajza që shkollohen në zona të Kosovës, nuk kanë mundësi të punësohen, pasi punësohen njerëz të politikës ose djemtë", u shpreh ajo.
"Për mua si aktiviste është e papranueshme. Unë do të vazhdoj të dal derisa të jemi të barabartë si djemtë si vajzat në Kosovë”, tha Rugova.
Barazia ndërmjet gjinive është vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovë, me mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve për kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore.
Kështu thotë Ligji për Barazi Gjinore i miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, e ka vlerësuar ndihmën e siç tha, grave kosovare në shtetndërtimin dhe institucioneve të shtetit.
“Gratë kanë bërë punë të mëdha gjatë luftës dhe pas saj. Kjo që sot ne po gëzojmë është rezultat i kontributit të veçantë në ndërtimin e këtyre institucioneve. Ajo që duhet cekur, është regjistrimi i pronave në emër të grave apo të dy bashkëshortëve... Prona të shfrytëzohet edhe nga gratë për efekte ekonomike zhvillimore, pasitë gjitha analizat tregojnë që aty ku gratë janë të barabarta, kemi kontribut të tyre në zhvillimin social dhe ekonomik”, ka thënë Mustafa.
Ndryshe, shifrat aktuale tregojnë se vetëm 3.8 për qind e grave në Kosovë janë trashëgimtare të pronave, derisa 16 për qind e pronave të paluajtshme janë të regjistruara në emër të grave.
Gjendja e trashëgimisë, prezantohet në këto shifra, pavarësisht faktit që statistikat zyrtare tregojnë se rreth gjysma e popullatës së Kosovës, përbëhet nga gjinia femërore.
Kosova është në mesin e pak vendeve që me ligj e ka të rregulluar pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe posaçërisht në Kuvendin e Kosovës, prej mbi 30 për qind të kuotës.
Shumë vjet pas luftës, një komunë vazhdon të udhëhiqet nga një grua, ndërkohë që megjithë paragjykimet në shoqëri, për 5 vjet Kosova qe udhëhequr nga një presidente femër, e para në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. (REL)