Ndërlidhjet

Navalny pretendon se Medvedev është ndër burokratët më të korruptuar


Kryeministri rus, Dmitry Medvedev
Kryeministri rus, Dmitry Medvedev

Kryeministri i Rrusisë, Dmitry Medvedev, për një kohë të gjatë e ka paraqitur vetveten si jurist me prirje liberale, që e urren korrupsionin, kundër të cilit e kishte lansuar një nismë të ashpër në vitin 2008, kur ishte në postin e presidentit të Rusisë.

Por, tash Medvedev është akuzuar rëndë nga lideri opozitar në Rusi, Alekesi Navalny, i cili thotë se Medvedev është njëri prej njerëzve më të pasur në Rusi dhe njëri prej burokratëve “më të korruptuar” në këtë vend.

Në hetimin e fundit të zotit Navalny, i publikuar në internet javën e kaluar, Medvedev akuzohet se e shfrytëzon një mori të organizatave humanitare dhe jofitimprurëse, për të mbledhur donacione nga oligarkët dhe bankat shtetërore, të cilat pastaj i ridrejton në fonde për të blerë kapacitete të shtrenjta.

Navalny vlerëson se këto donacione janë ryshfete të pastërta dhe thotë se “pranuesi i vetëm i kësaj ndihme është Medvedev dhe familja e tij”.

Në raportin në internet, i shoqëruar nga një video shpjeguese, shfaqen dyshime se së paku 70 miliardë rubla (1.2 miliard dollarë amerikanë) në fonde dhe pasuri, janë transferuar tek organizatat që janë nën kontroll të njerëzve të afërt me Medvedevin.

“Perandori e pasurisë”

Pretendohet se kjo perandori e pasurisë përfshinë pallate, ndërtesa banimi të nivelit të lartë, patundshmëri, jahte dhe vreshta në Rusi dhe jashtë saj.

“Pronari i vëretë i pasurive është pothuajse e pamundshme të gjurmohet, pasi duke qenë të regjistruara si fondacione humanitare, ato në esencë nuk i takojnë askujt”, thotë Aleksei Navalny në raportin e tij, dhe shton se “pasuria e Medvedevit menaxhohet nga miqt e tij, shokët e shkollës dhe njerëzit e besuar”.

Ai vlerësoi se Medvedev “është njëri prej njerëzve më të pasur në vend dhe njëri prej burokratëve më të korruptuar”.

Këto akuza me të shpejtë janë hedhur poshtë nga Zyra e zotit Medvedev, duke vlerësuar se ato paraqesin zhurmë politike dhe “propagandë”.

Nuk ka dokument se pasuria i takon Medvedevit

Duke cituar shënime publike, në hetimin e publikuar në internet, shfaqen dyshime se miliarderi me lidhje të thella me elitën në pushtet në Rusi, Alisher Usmanov, kishte dhuruar një pasuri në fshatin e pasur, Rublyovka, jashtë Moskës, në vlerë prej 5 miliardë rublave (85 milionë dollarë) në një fond jofitimprurës, për projekte sociale shtetërore, që sipas raportit, udhëhiqen nga dy ish-kolegë universitarë të Medvedevit.

“Ky fond nuk ka të bëjë asgjë me bamirësi”, tha Navalny.

Zoti Usmanov nuk është përgjigjur publikisht ndaj raportit, ndërsa e përditshmja e respektuar ruse, RBK, ka raportuar se kompania e tij, Metalloinvest, kishte refuzuar të bëjë komente kur është pyetur nga gazeta.

Në hetim nuk zbulohet asnjë pasuri që me dokument i takon Medvedevit. Navalny shfaq dyshime se organizatat e cituara në raport menaxhohen nga njerëzit e afërt me Medvedevin, që e mbikëqyrin pasurinë “personale” të kryeministrit, Dmitry Medvedev.

Kritiku i zëshëm i Kremlinit, Aleksei Navalny, ka treguar se në pasuri përfshihet vreshta në qytetin Anapa në Detin e Zi, dhe një tjetër në rajonin Tuscani në Itali; pastaj një shtëpi në rajonin perëndimor Kursk në Rusi; një pushimore në rajonin qendror Ivanovo; një pasuri në Rublyovka; një shëtpi në Krasnaya Polyana afër Soçit; një shtëpi në St. Petersburg, dhe tokë në bregun e Detit të Zi.

Mediat pro Kremlinit nuk raportuan për akuzat kundër Medvedevit

Ky hetim është paraqitur derisa Navalny përpiqet ta rrisë profilin e tij, me qëllim që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale në vitin 2018, megjithë dënimin me kusht të muajit të kaluar për akuza keqpërdorimi, për të cilat ai dhe mbështetësit e tij thonë se ishin të fabrikuara, për ta eliminuar atë nga pjesëmarrja në zgjedhje.

Natalya Timakova, zëdhënëse e Dmitry Medvedevit, tha se hetimet duken “qartas sikur fushatë zgjedhore” dhe se komentet ndaj “sulmeve propaganduese” nga një person i dënuar, janë “të pakuptimta”, ka raportuar agjencia e lajmeve, Interfax.

Për këto akuza është raportuar në disa gazeta me ndikim dhe në portale në internet në Rusi, por janë injoruar nga pjesa më e madhe e mediave pro Kremlinit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG