Ndërlidhjet

Thaçi procedon në Kuvend Projektligjin për ushtrinë e Kosovës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë me kompetenca mbrojtëse, ushtarake.

Me këtë Projektligj, Thaçi ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i jap një mision dhe mandat të ri Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë edhe komponentin e mbrojtjes.

Njëherësh, Presidenti i Kosovës ka deklaruar se ky mision i ri i FSK-së, nuk do të ndeshet me misionin që aktualisht e ka forca e KFOR-it në Kosovë.

“Roli dhe misioni i ri i FSK-së do të jetë ai i paqes, i stabilitetit, i mbrojtjes dhe natyrisht kurdo që të kërkohet do të jetë pjesë e misioneve ndërkombëtare, do t’i ketë detyrat e përcaktuara qartë me ligj për mbrojtjen e stabilitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi tha po ashtu se që nga koha kur ishte kryeministër dhe tani si president i Kosovës, ka tentuar që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, përkatësisht në ushtri, të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo ligjore. Por, këto ndryshime, theksoi Thaçi, janë pamundësuar nga Lista Serbe.

“Deputetët e komunitetit serb janë deklaruar dhjetëra herë dhe kanë qëndrime shumë të qarta se kurrë nuk do të votojnë për ushtrinë e Kosovës dhe se ky qëndrim është drejtpërdrejtë i vendosur në Beograd”, tha Thaçi.

“Por, ne nuk mund të mbetemi peng i disponimit të Beogradit se a duhet të themelojë Kosova ushtrinë e vet apo jo. Ne jemi vend i pavarur, sovran, kemi kushtetutën dhe ligjet tona dhe vendimet i marrim vet”, deklaroi ai.

Projektligji për transformimin e FSK-së, do t’i procedohet kryesisë së Kuvendit për hapat e mëtutjeshëm deri në miratimin e tij, ka deklaruar në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Nëpërmjet transformimit të FSK-së, Kosova nuk do të jetë më konsumues i paqes në rajon, por kontribuues saj. Shumica e kadetëve të FSK-së janë duke u trajnuar nëpër vendet më prestigjioze të botës. FSK-ja do të jetë partner i sigurt për NATO-n dhe të gjitha etnitetet në Kosovë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit vlerësoi se Kosova ka nevojë për rrumbullakimin e identitetit të saj shtetëror.

Partitë opozitare, e mbështesin në parim transformimin e FSK-së në forcë mbrojtëse, ndonëse preferojnë që fillimisht ta lexojnë dhe analizojnë Projektligjin e propozuar.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, thotë se me rëndësi është përmbajtja se çfarë ushtrie synohet të formohet.

“Përmbajtja e projektligjit për ushtrinë është shumë më e rëndësishme sesa emërtimi. Çështja e emërtimit është shumë më e lehtë dhe është çështje e një votimi”, ka thënë Dërguti.

Ndërkaq, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë, thotë se pavarësisht nëse FSK merr përgjegjësi shtesë vetëm me anë të ligjit, kjo nuk e pengon atë që të ushtrojë funksionin e vet mbrojtës dhe ushtarak, nëse i ndryshohet misioni dhe roli që ka.

Ndërsa rreth dilemave, se a duhet të themelohet ushtria e Kosovës me ligj apo me Kushtetutë, Ramadani thotë se në me rëndësi është që në cilindo variant, ajo duhet të mbështetet nga NATO dhe partnerët ndërkombëtar.

“Unë besoj se në cilindo variant, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bashkërendojnë aktivitetet dhe veprimet me partnerët strategjik dhe në rend të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n”.

“Bashkërendimi është i domosdoshëm, për faktin se FSK-ja, me misionin e ri ushtarak, nuk duhet të jetë e kontestuar nga partnerët strategjik të Kosovës, as nga SHBA dhe as nga NATO, sepse Kosova më pastaj synon që të anëtarësohet në NATO”, ka thënë Ramadani.

Kosova, është një shtet shumetnik, që nënkupton se institucionet e saj, duhet të respektojnë edhe parimin e shumëetnicitetit në përbërje.

Presidenti Thaçi ka premtuar që gjatë transformimit, FSK do të përmbushë edhe komponentin e shumë-etnicitetit.

“Është një transformim jo për krijimin e një ushtrie shqiptare, por shumetnike”, ka theksuar Thaçi.

Kosova, vijoi ai, dëshiron të jetë pjesë e NATO-s, por nuk mund të jetë anëtare e NATO-s pa ushtrinë e saj.

Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumetnike, e armatosur lehtë dhe me uniformë, e cila aktualisht ka për detyrë të zbatojë operacione në rast të krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione këto për mbrojtjen civile në Kosovë dhe për të ndihmuar autoritetet civile në rast të fatkeqësive elementare dhe rasteve tjera të jashtëzakonshme.

Me transformimin e saj, presidenti dhe institucionet tjera të Kosovës pretendojnë që FSK-së t’i japin edhe kompetenca dhe përgjegjësi nga fusha e mbrojtjes, të cilat kryesisht u përkasin vetëm ushtrive. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG