Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha të martën në Bujanovc se “Shqipëria është e interesuar që të ndihmojë në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në fushat që përfshijnë tri komunat të banuara me shqiptarë”.
Ai tha se njëkohësisht vendi i tij është i interesuar “që të punojë në avancimin dhe promovimin e bashkëjetesës në bashkësitë shumëkombëshe”.
Presidenti Nishani u prit sot nga qindra qytetarë në Luginën e Preshevës, në vizitën e parë të një presidenti shqiptar në Serbi që prej afro shtatë dekadash.
“Për të mirën e popujve tanë duhet te kthehemi nga e ardhmja dhe ajo duhet të ndërtohet në respekt të ndërsjellë dhe jo mbi urrejtje dhe jo tolerancë. Së bashku ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja”, tha Nishani.
Presidenti Nishani i cilësoi marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë “gjithnjë e më të mira” dhe tha se “Tirana do të vazhdojë që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Beogradin”. Ai tha se prej fjalëve tani duhet të kalohet në vepra dhe duhet të hartohet një plan veprimi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
"Për të gjitha ato që janë arritur, qeveritë duhet të kenë përgjegjësinë dhe t’i forcojnë e avancojnë. Duhet që të gjitha marrëveshjet, para së gjithash ato që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së bashkësisë shqiptare në jug të Serbisë të zbatohen në praktikë”, tha Nishani.
"Atë që unë do të doja është që qeveria e Serbisë të ketë një plan të veprimit lokal të përpiktë për zbatimin e gjithë asaj që është dakorduar”, theksoi presidenti shqiptar.
Vizita e Nishanit në Luginën e Preshevës bëhet afro 70 vjet pasi qëndrimit në Serbi të Enver Hoxhës, ndërkohë që në vitet e fundit janë shënuar një numër vizitash në nivel kryeministrash të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit.
Në Bujanovc presidentin Nishani, e pritën me brohoritje disa qindra qytetarë shqiptarë me flamuj shqiptarë në duar dhe me pankartën me mbishkrimin “Mirëserdhe President”
Presidenti Nishani u prit në Bujanovc nga kryetari i komunës Shaip Kamberi, me ftesë të të cilit vizitoi Luginën, ndërkohë që takoi edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Gjithashtu Nishani bisedoi edhe me politikanë serbë në qeverisjen lokale dhe me kryetarin e Këshillit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë.
Vizita e presidentit Nishani në Luginë të Preshevës kaloi e qetë dhe pa tensione.
Presidenti Nishani në Bujanovc
Më shumë se një mijë qytetarë të Bujanovcit e kanë pritur, të marten, presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishanin, që arriti në qytet në orët e pasdites.
Ai fillimisht u ndal të përshëndeste qytetarët që e pritën me ovacione.
Përpara ndërtesës së Kuvendit komunal e priti kryetari i Bujanovcit, Shaip Kamberi dhe së bashku hynë në takimin që mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Bujanovcit.
Nga përfaqësuesit e qeverisë është i pranishëm Zoran Stankoviq, kryetar i Këshillit Koordinues për jugun e Serbisë. Pritet që edhe ai të takohet me Presidentin e Shqipërisë.
Presidenti Nishani është në vizitë në Bujanovc me ftesë të kryetarit të Bujanovcit Shaip Kamberi. Ai do të takojë edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar Jonuz Musliu dhe është paralajmëruar se gjatë ditës do të qëndrojë edhe në Preshevë.
Nishani është presidenti i parë i Shqipërisë që viziton Serbinë, pas Enver Hoxhës më 1948.
Në prag të vizitës, mediat serbe cituan kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, të ketë thënë se Nishani “vjen për të parë kushtet në të cilat jetojnë shqiptarët në Serbi" marrë parasysh se "për shqiptarët, me Kushtetutë të Shqipërisë, duhet të përkujdeset shteti amë”.
Por, kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur ministri serb i punës, Aleksandar Vulin, i cili ka deklaruar se Musliu “po nxit konlfikte atje ku nuk ka” dhe se në Ballkan “sërish po zgjohet politika shqiptaromadhe”.
Ndërkohë ministri i punëve të brendshme Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar se nuk prêt “tensione të reja gjatë vizitës së paralajëmruar të presidentit të Shqipërisë në jugun e Serbisë”.
Ai ka porositur se kjo vizitë nuk do ta cënojë sigurinë.
Stefanoviq në përgjigje të pyetjes nëse vizita e presidentit të Shqipërisë mund të shihet si “mundësi e tensioneve të reja’, ka thënë se shpreson se nuk do të ketë provokime”.
“Mysafirët tanë ndjehen të mriëseardhur në Serbi, pavarësisht nëse na pëlqen ajo që kanë për të thënë. Ata në territorin e shtetit tonë janë të sigurt”, tha Stefanoviq.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu tha para dy ditësh se Bujar Nishani do të ketë një numër takimesh me shqiptarët në Bujanovc e Preshevë por jo edhe me përfaqësuesit e Beogradit zyrtar, të cilën e arsyetoi me faktin se në Serbi ka “nisur fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale”.