Prokurorët rusë thanë se janë duke shqyrtuar një kërkesë nga Mali i Zi për t’i ndihmuar këtij vendi që të hetojë përpjekjen për grushtshtet gjatë zgjedhjeve, tetorin e kaluar, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
Kremlini i ka cilësuar si absurde akuzat e prokurorit të shtetit në Mal të Zi se Moska ka qenë e përfshirë në komplotin për të vrarë kryeministrin e atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq, dhe për ta sjellë opozitën në pushtet.
Prokurori special i Malit të Zi, Millivoje Katniq, muajin e kaluar, tha se “institucionet shtetërore të Rusisë” kanë qenë të përfshira në komplotin e dyshuar për grushtshtet dhe kërkoi nga shteti rus që të bëjë hetime.
“Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Federatën Ruse është duke shqyrtuar kërkesën e autoriteteve në Mal të Zi për dhënien e ndihmës juridike, në lidhje me hetimin e ngjarjeve të përmendura”, tha Reuters duke cituar agjencinë ruse TASS.
Më 16 tetor, në ditën kur qytetarët në Mal të Zi kanë votuar në zgjedhjet parlamentare, autoritetet malazeze kanë arrestuar 20 veta nga Serbia, nën akuzat se kanë planifikuar sulme kundër shtetit.
Partitë opozitare kanë akuzuar Gjukanoviqin dhe aleatët e tij për fabrikim të komplotit, me qëllim zgjerimin e kontrollit të tyre.