Ndërlidhjet

Rreth 50 milionë euro kredi për blerjen e aparaturës për shëndetësi


Qendra Klinike Universitare të Kosovës po ballafaqohet me mungesë të aparaturave të nevojshme, çka si pasojë po krijon vështirësi për diagnostikimin apo edhe trajtimin e pacientëve.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e marrjes së një kredie prej 50 milionë eurosh, në mënyrë që të blihen të gjitha aparatet e nevojshme.

Ndërkaq në Qendrën Klinike, përkatësisht në zyrën e drejtorit të përgjithshëm, thonë se kanë kërkuar nga gjithë menaxherët e klinikave që të bëjnë kërkesën për aparaturën që u mungon.

Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani , i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Këshilli për investime strategjike në nivel të Qeverisë së Kosovës, ka dhënë dritën jeshile që të shihet mundësia e marrjes së kredisë prej 50 milionë euro, për të blerë pajisje mjekësore, në mënyrë që të furnizohen të gjitha klinikat me aparaturën e nevojshme.

“Mungesa e aparaturave është evidente, por me mundësitë e veta buxhetore, Qeveria e Kosovës ka bërë aq sa ka pasur mundësi. QKUK ka nevojë për blerjen e aparaturave të reja, sidomos në kapacitetet diagnostikuese rentgenologjike, pasi ky institucion ka vetëm një aparaturë të tillë”.

“QKUK ka bërë një analizë të nevojave për çdo klinikë dhe pritet të shihet se çka do të ndodhë me kredinë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq në Klinikën Pediatrike brenda QKUK së, drejtori Muharrem Avdiu ka bërë të ditur se tash e 17 vjet përballen me mungesë aparaturash duke potencuar mungesën e rentgenit, si më të nevojshmin.

“Në secilën klinikë ka mungesë aparaturash, dhe aty ku ka, janë të vjetruara. Në Klinikën e Pediatrisë përmes donacioneve ia kemi dalë që t’i kemi shumë prej aparaturave na nevojiten. Edhe donatorët janë treguar të gatshëm, pasi është edhe klinikë e fëmijëve”.

“Çështja më problematike tek ne mbetet rentgeni, e që mungon qe 17 vjet. Andaj, me vështirësi i realizojmë këto shërbime”, ka thënë Avdiu.

Ne Qendrën Klinike Universitare, zyrtari për informim Shpend Fazliu ka dhënë detaje rreth asaj se cilat janë vështirësitë që ky institucion përballet.

“Zyra e drejtorit të përgjithshëm të QKUK së ka bërë kërkesë tek të gjitha njësitë përkatëse që të dorëzojnë kërkesat e tyre dhe i njëjti i është dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë . Kjo e fundit e ka miratuar këtë dokument dhe po shqyrtohet mundësia e blerjes së aparaturave”.

“Tash për tash kemi vetëm një rezonancë magnetike dhe kërkesa ka shumë, ku rrjedhimisht lista e pritjes është shumë e gjatë. Gjithashtu ultrazërat e ndryshëm mungojnë e që krijojnë mangësi në diagnostikim”, ka thënë Fazliu.

Sidoqoftë si rrjedhojë e mungesës së trajtimit brenda Kosovës, qytetarët e vendit shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit, për trajtime mjekësore jashtë Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG