Ndërlidhjet

Izolimi i Kosovës, një nga faktorët që çon në radikalizëm


Ilustrim
Ilustrim

Brishtësia e sistemit juridik dhe politik si dhe mungesa e bashkëpunimit, ka ndikuar që Kosova të ketë një numër të njerëzve që kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Irak apo të ketë edhe një numër të atyre luftëtarëve që kthehen në Kosovë e të cilët mund të paraqesin rrezik eventual.

Këto janë disa nga vlerësimet e bëra në punimet e samiti të Komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të vendeve të Evropës, ku është diskutuar ‘lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon’.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka theksuar se ka mungesë të pikave referente të bashkëpunimit dhe se shumë herë mungojnë evidencat, kur merren me çështjen e luftimit të radikalizmit dhe terrorizimit.

“Ne kemi mungesë të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare dhe Kosova duhet të jetë, qoftë në nivel rajonal dhe atë ndërkombëtare pjesë e këtyre mekanizmave, jo vetëm për luftimin e kësaj dukurie, por edhe të tjerave. Por, mungesa e një gjëje të tilla krijon hendek”, ka theksuar Kuçi.

Lufta e Kosovës kundër terrorizimit dhe radikalizmit, ka shtuar Kuçi, ka të bëjë edhe me identitetin shtetëror.

Derisa në vendet e tjera falsin vetëm për sigurinë qytetare, njerëzore dhe kombëtare, tha Kuçi, në Kosovë flitet edhe për identitet shtetëror, pasi që Kosova nuk dëshiron të identifikohet si vend i këtyre luftëtarëve apo veprimeve të tilla.

“Në një qasje të veçantë që duhet të jemi të kujdesshëm, është mbyllja e dyerve, që ndodh për qytetarët e Kosovës. Shteti ynë me ligjet që i kemi miratuar, e që kemi bërë mirë, i kemi mbyll dyert në kuptimin e participimit të këtyre radikalizmave në lindje”.

“Nuk dua ta krahasoj, por njëkohësisht të rinjtë tanë i kanë dyert e mbyllura edhe në perëndim dhe nëse i mbyllim dyert në të gjitha anët do të kemi problem t’i menaxhojmë njerëzit tanë të ri. Nuk është kjo për të frikësuar se frikën më të mëdha do ta kemi ne vet, pasojat më të mëdha do t’i kemi ne vet”, është shprehur Kuçi.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar në vitin 2015 ligjin, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Po ashtu, Kosova ka në zbatim Strategjinë Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Shefi i misionit të OSBE-së Jan Braathu ka theksuar se lufta kundër terrorizimit nuk ka të bëjnë vetëm me fuqizimin e ligjeve, por edhe me zbatimin e tyre, ku nevojitet angazhimi i tërë shoqërisë.

Njëra nga fushatat e OSBE-së, ka theksuar Braathu, ka të bëjë edhe me uljen e gjuhën e urrejtjes e cila ndikon në rritjen e radikalizmit.

“Ekstremizmi rrjedh edhe nga gjuha e urrejtjes. Grafitet që nxisin urrejtje, që janë vizatuar në rajonin e Gjilanit, ishin grafite që nxitin urrejtje, kishte edhe simbole naziste dhe kjo është e re në Kosovë, nuk më kujtohet që ka pasur më parë. Kjo gjë duhet të merret shumë seriozisht”, ka theksuar Braathu.

Ai ka shtuar se pjesa më e madhe e radikalizmit po behët përmes internetit dhe për këtë arsye, misioni i OSBE-së ka punuar që të edukojë rininë që të krijojë një qasje më kritike kur kanë të bëjnë me marrjen e informative nga interneti.

Ndërkaq, deputeti Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka theksuar se shteti i Kosovës dhe shoqëria kanë ndërmarrë veprimet e koordinuar, por se duhet bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë.

“Kosova ka nevojë që urgjentisht që të jetë pjesë e INTERPOL-it, që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë dhe një shkëmbim të informatave. Kjo është një mungesë serioze në aspektin e luftës kundër terrorizimit”, ka theksuar Haradinaj.

Që nga rasti i parë i shkuarjes së shqiptarëve të Kosovës në luftën në Siri dhe Irak, në vitin 2012, deri më tani, janë regjistruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova që kanë shkuar në ato zona.

Për disa prej personave të kthyer Polica e Kosovës ka hapur hetime, disa janë arrestuar, derisa janë dënuar mbi 35 prej tyre. (REL)

XS
SM
MD
LG