Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock.
Në një komunikatë për medie të lëshuar nga Zyra e presidentit të Kosovës, thuhet se në këtë takim është biseduar për mundësinë e pranimit të Kosovës në INTERPOL.
Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në këtë organizatë.
"Ne kemi nevojë për INTERPOL-in, por edhe INTERPOL-i ka nevojë për Kosovën, për informim sa më të shpejtë", ka theksuar presidenti Thaçi.
Në komunikatë thuhet se sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Stock, ka thënë se kjo organizatë është e hapur për Kosovën dhe se ai pret që të përfundojnë procedurat e brendshme për të filluar shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim.
Presidenti Thaçi nga sekretari i INTERPOL-it ka kërkuar që të gjitha fletë-arrestet politike të Serbisë të anulohen.