“Tryeza e partive politike shqiptare parlamentare ka harmonizuar qëndrimet rreth Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe ai do t’i ofrohet si kusht partisë maqedonase, LSDM, për të formuar qeverinë”, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ziadin Sela.
Ai e kishte thirrur takimin e liderëve të partive nënshkruese të platformës së përbashkët të partive shqiptare, për të shqyrtuar hapat e mëtejmë rreth formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë.
“Harmonizuam qëndrimet tona sa i përket propozim - ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe njëherësh dua të përsëris se tryeza e partive politike parlamentare shqiptare, ka përgatitur një ligj dhe ne nuk presim që ligjin të na e ofrojnë subjektet e tjera politike. Ne të gjithë së bashku jemi përfaqësues politikë të shqiptarëve dhe ne kemi përgatitur dhe kemi harmonizuar qëndrimet tona lidhur me propozim-ligjin i cili avancon në mënyrë të kënaqshme përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe”, ka theksuar Sela.
Ai ka theksuar se në takimin e së shtunës, vend i veçantë i është kushtuar deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, përkatësisht si do të funksionojë në të ardhmen tryeza e partive politike parlamentare.
“Politikë-bërja e partive politike shqiptare parlamentare, nuk duhet të jetë në shërbimin tonë primar, si drejtues të partive politike, por në shërbim të atyre që i përfaqësojmë. Prandaj të gjithë ata që mendojnë se duhet të përfaqësojnë votuesit e tyre, vendin e kanë këtu në tryezën e përbashkët të subjekteve politike shqiptare, sepse vetëm nga këtu të bashkuar në një organ me kërkesa të cilësuara qartas, ne mund t’i shtyjmë para proceset që kanë të bëjnë me interesat e shqiptarëve”, ka deklaruar Sela.
Ftesës së Ziadin Selës i është përgjigjur lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ai i partisë Uniteti, Gëzim Ostreni, dhe ai Rilindjes Demokratike, Vesel Memedi.
Partia e dytë sa i përket mandateve të fituara, Lëvizja BESA, bojkotoi takimin.
Faton Fazliu nga Lëvizja Besa për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se partia e tij nuk ndjen detyrim të marrë pjesë në takime që nuk janë në frymë të Deklaratës së Përbashkët të Partive Shqiptare në Maqedoni.
“Ne, si Lëvizje BESA, e ritheksojmë qëndrimin se pavarësisht asaj se disa eksponentë politikë - në mënyrë infantile - i dolën zot autorësisë së Deklaratës, megjithatë Lëvizja BESA nuk ka hequr dorë nga mbështetja e Deklaratës dhe kurdoherë që pikat e saj do të vijnë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, deputetët e saj do t’i mbështesin ato pika”, ka theksuar Fazliu.
Ndryshe, aktualisht zhvillohen bisedime mes LSDM-së dhe BDI-së nga njëra anë dhe kësaj të fundit me Aleancën për Shqiptarët, pas dështimit të bisedimeve të mëparshme ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim dhe VMRO DPMNE-së, e cila nuk u tregua e gatshme t’i pranojë kërkesat që dalin nga platforma e përbashkët e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Parlament. (REL)
Facebook Forum