Ndërlidhjet

Rreth 9 milionë euro, “të askujt”, mund të barten nga Trusti në buxhet


Ilustrim
Ilustrim

Janë rreth nëntë milionë euro të deponuara në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, por të cilat nuk kanë pronarë.

Zyrtarë nga Trusti i Kursimeve Pensionale thonë për rubrikën “Fokus” të Radios Evropa e Lirëse shuma e mjeteve është grumbulluar që nga viti 2002 deri në vitin2010, kur kompanitë kanë përfunduar pagesat, por nuk e kanë dorëzuar listën e punëtorëve se për kë i kanë realizuar.

Shuma e paidentifikuar së bashku me fitimin apo humbjen, evidentohet nga Fondi në një llogari të veçantë.

Jeton Demi, zyrtar për marrëdhënie me Publikun në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se si ndodhi që nëntë milionë euro të grumbulluara në Trust, të mbesin pa pronarë.

Ai thotë se të gjitha pagesat që kanë ardhur në llogarinë e Fondit, kanë ardhur përmes Administratës Tatimore të Kosovës, pasi kjo e fundit fillimisht mbledh kontributet.

“Procesi i pagesës së kontributeve dhe raportimit, ka qenë i ndarë më herët, ngase fillimisht është bërë pagesa, kurse më vonë është dërguar raporti. Për arsye të ndryshme, ne nuk i kemi marrë informacione se për kë dhe përse janë paguar këto para në llogarinë e Fondit të Kursimeve Pensionale”, shpjegon Demi.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit, konsiderojnë se në Trust nuk ka mjete pa pronarë, por kjo është neglizhencë e autoriteteve përgjegjëse, sepse të gjithë pronarët e kompanive kanë emër dhe mbiemër.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe Fondi i Kursimeve Pensionale duhet që t’i ftojë bizneset që të interesohen se a janë në rregull kontributet e paguara.

Megjithatë, Aleanca Kosovare e Biznesit, pas një takimi që ka pasur në fund të vitit të kaluar me anëtarët e Bordit të Fondit tëKursimeve ka filluar t’i informojë bizneset lidhur me mjetet e grumbulluara në Trust.

“Assesi ato para nuk janë që dikush i ka paguar dhe nuk e dinë se nga kanë ardhur. Ato janë mjete të taksapaguesve, bizneseve dhe punëtorëve dhe Administrata nuk i ka në evidencë. Çdokush që i ka paguar, ata e kanë fletëpagesën. Por, nuk janë të informuar se pagesat nuk janë në emër të tyre”, shprehet Shahini.

Por, Jeton Demi tregon se vlera e mjeteve të paidentifikuara ka qenë mbi 50 milionë euro, por për nëntë milionë euro, sipas tij, janë shterur të gjitha mundësitë e identifikimit të paguesve të kontributeve përkatëse.

“Kemi ardhur në një pikë, kur janë shterur mundësitë për të gjetur informata shtesë. Pra, kompanitë, ndërmarrjet dhe organizatat kanë paguar shuma të caktuara të mjeteve, por nuk kanë dorëzuar raport për kë i kanë paguar mjetet dhe për ne është e pamundur të dimë se për kë i kanë paguar”, thekson Demi.

Edhe zyrtarë në Administratën Tatimore të Kosovës, në vazhdimësi nëpërmjet inspektorëve tatimorë zhvillojnë aktivitete në teren. Një prej këtyre aktiviteteve është edhe identifikimi i personave si të punësuar apo të vetëpunësuar.

Në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të ATK-së thonë se “në rastet kur ATK- ja identifikon personat, për të cilët më parë janë paguar kontributet pensionale, por për shkak të mosidentifikimit nuk janë dërguar në llogari të individit, atëherë përmes formave zyrtare dhe listës së pagesave së të punësuarve, Administrata i dërgon në Fondin e Kursimeve Pensionale dhe kërkon nga ky Fond që këto mjete të dërgohen në llogari përkatëse”.

Në anën tjetër, Jeton Demi, thotë se gjatë hulumtimit për të identifikuar kontribut – paguesit, është vërejtur se disa kompani janë aktive, disa janë mbyllur apo edhe kanë ndërruar veprimtarinë e tyre.

Bazuar në Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, i cili është miratuar në Kuvend, thuhet se në rastin kur kontributet përkatëse nuk identifikohen nga ana e Fondit dhe nuk ka as njoftim nga ana e vetë paguesve deri në gjashtë vite nga viti i pagesës, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të drejtën e marrjes së vendimit për inkasimin e fondeve përkatëse në Buxhetin e Republikës së Kosovës.

Një vendim përkatës merret vetëm pasi që Bordi i Fondit të ketë informuar me shkrim Qeverinë që ka shtjerrë të gjitha mundësit e identifikimit të paguesve të kontributeve përkatëse.

“Dhe, nëse ndërkohë, kurdo qoftë del pronari i tyre dhe dëshmon se ato mjete janë të tij ose saj, atëherë obligohet me ligj që Qeveria dhe ATK-ja t’ia kthejë këto mjete bashkë me normën e interesit mesatar për periudhën që ato mjete janë mbajtur nga Qeveria”, shton Demi.

Ndryshe, rreth 1.4 miliardë euro është shuma e mjeteve të kontribut- pagueseve , që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG