Në qytezën e Fushë Kosovës, të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, flasin për një jetë me shumë probleme që ata e bëjnë në Kosovë.
Papunësia e varfëria janë shqetësimet më të mëdha të tyre, që ata i theksojnë në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë.
Nuhi Bajrami, 25-vjeçar nga Fushë Kosova, tash për tash është i papunë. Ai punon vetëm atëherë kur e kërkon dikush si punëtor krahu.
“Unë punoj punë private. Punojmë kur ka punë dhe na thërret dikush. Kur s’ka, rrimë. Rinia këtu është e papunë. Të rinjtë dalin e mbledhin kanaçe nëpër mbeturina. Jeta këtu është shumë e vështirë. Kështu mbesin gjallë, i mbajnë familjet”, thotë ai.
Nuhiu tregon se gjatë verës, bën edhe muzikë, në mënyrë që të fitojë para për të mbijetuar:
“Unë kam qenë në Gjermani, kam jetuar 2 vjet dhe më kanë kthyer. Tash merrem ngapak me muzikë. Dal punoj punë private kur më thërret dikush. Verës këndoj nëpër dasma, e kam një grup timin. Dimrit s’ka punë”.
Muharrem Rizai, 26-vjeçar, ndonëse ka diplomë si teknik i Elektros, ai thotë se asnjëherë nuk ka arritur të punësohet. Ai mendon të dalë jashtë Kosovës, sapo t’i jepet shansi, për shkak se këtu nuk sheh perspektivë.
“Jam i papunë. Kushtet nuk i kam të mira. Nuk ka punë. Po të kishte punë,do të ishte më ndryshe. Unë i kam dy diploma, një si teknik i elektros dhe një si saldues. Kam kërkuar punë gjithkund, por nuk ka përgjigje. Unë jetoj me nënën dhe motrën. Mendoj të dal jashtë vendit në Evropë për një jetë më të mirë”, tregon Muharremi.
Në Kosovë llogaritet se jetojnë deri në 40 mijë rom, ashkali dhe egjiptian. Qeveria e Kosovës, tashmë shumë herë ka shprehur përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.
Por, përfaqësuesit e komuniteteve, vazhdimisht kanë shprehur ankesa të shumta se ligjet e strategjitë e miratuara për këto komunitete, kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë.
I riu Fitim Kadriu, 25-vjeçar, i cili jeton në të njëjtën lagje në Fushë Kosovë, thotë se ai tashmë e ka marrë zanatin e frizerit dhe po punon.
“Unë punoj. Kam sallonin tim dhe punoj si frizer. Jeta nuk është edhe shumë e keqe. Shumë të rinj punojnë ngapak, por ka nevojë për punësim në masë më të madhe. Unë punoj dhe njerëzit janë të kënaqur me punën time”, shprehet Kadriu.
Derisa Emra Idrizi, 22 vjeç, thotë se nuk punon dhe se asnjëherë nuk ka shkuar në shkollë, për shkak të pamundësive financiare.
“Punë s’ka. Unë nuk kam qenë në shkollë. S’kemi pasur mundësi financiare. Unë mendoj të dal në Evropë. Në Itali e kam familjen. Këtu s’ka perspektivë. Punoj kur më thërrasin, si punëtor krahu. Por, ajo s’po mjafton”, thotë Emra.
Në anën tjetër, Mehmet Berisha, 24-vjeçar, thotë se ndonëse tërë ditën e kalon në rrugë duke pritur nëse dikush do ta ftojë të punojë si punëtor krahu, shpeshherë kthehet në shtëpi pa fituar asnjë cent:
“Këtu rrimë gjatë tërë ditës, ne duhet të punojmë, por askush nuk vjen të na marrë që të punojmë. Neve na duhet të gjejmë punë që të mbijetojmë disi”.
Edhe Blerim Destani, 28-vjeçar, shprehet mjaft pesimist. Ai thotë se jetojnë keq dhe në kushte shumë të vështira.
“Kur nuk ke punë, nuk ke asgjë. Jetojmë keq, fëmijët e komuniteteve i gjen duke kërkuar lëmoshë ose në kontejnerë të mbeturinave, duke mbledhur kanaçe”, thotë Blerimi.
Përfaqësues që merren me të drejtat e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, thonë se në bazë të punës së tyre në terren, punësimi i personave të këtyre komuniteteve, është shumë problematik.
Ata kanë shprehur shqetësimin se shumë familje merren vetëm me punë ditore ose sezonale, duke siguruar ekzistencën vetëm për atë ditë dhe më pas ato familje janë pa vizion për të nesërmen.(REL)
Facebook Forum