Ndërlidhjet

Stoltenberg: NATO garanton praninë dhe sigurinë në Kosovë


Konferenca me gazetarë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg dhe kryeministrit të Kosovës, Mustafa
Konferenca me gazetarë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg dhe kryeministrit të Kosovës, Mustafa

Stabiliteti i Ballkanit është shumë i rëndësishëm për NATO-n, andaj KFOR-i do të vazhdojë misionin e vet në Kosovë, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se i siguronte kryeministrin dhe qytetarët e Kosovës se forca e KFOR-it do të mbetet në Kosovë për të siguruar një mjedis të qetë e paqësor.

“NATO është në Kosovë. NATO e ka forcën e vet, KFOR-in këtu, që garanton paqen dhe sigurinë në këtë rajon, si pjesë e angazhimit për ruajtjen e paqes në Evropë”, ka thënë Stoltenberg.

Kjo prani e KFOR-it me mbi 4.500 ushtarë, tha Stoltenberg do të jetë e pranishme në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

“Por para së gjithash tani është koha për dialog”, ka thënë ai. Në këtë kuadër, Stoltenberg u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë, por edhe atyre në Beograd që të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“NATO i jep mbështetje të plotë dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog tani është rikthyer me mbajtjen e dy raundeve brenda dy javësh dhe unë e mirëpres këtë fakt”, ka thënë Stoltenberg.

Jens Stoltenberg
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:39 0:00

Ai nuk ka preferuar të komentojë shumë shtrirjen e vazhdueshme të ndikimit të Rusisë në rajon, por ka rikujtuar se kjo pjesë e Evropës mbetet zonë strategjike e rëndësishme për NATO-n.

Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe transformimit të saj në një Forcë të Armatosur, Stoltenberg tha se NATO mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së, kurse transformimi mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova aspiron integrimin e saj në NATO dhe se i gjithë spektri politik, në pushtet dhe opozitë ka qëndrim unik sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Po ashtu, Mustafa tha se institucionet e vendit e vlerësojnë lartë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe mbështesin vazhdimin e këtij misioni.

Në kuadër të zhvillimeve politike, Mustafa tha se Kosova mbetet e angazhuar për dialog, përfshi edhe me Serbinë, në mënyrë që tensionet aktuale të tejkalohen.

“Dialogu me Serbinë është orientim strategjik i politikave tona për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, mirëpo përkundër kësaj qasje ne kohëve të fundit kemi pasur disa provokime sistematike për të cilat jemi marrë vesh në Bruksel që t’i tejkalojmë me paqe”, ka thënë Mustafa.

Institucionet e Kosovës, ka vijuar Mustafa, garantojnë sigurinë për serbët e Kosovës dhe angazhohen për integrimin e tyre.

Kosova, tha Mustafa i gëzohet anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe në këtë kuadër ai tha se mbetet përkushtim i vazhdueshëm që të përmbyllet edhe çështja e demarkacionit të kufirit me këtë vend.

Po ashtu, Mustafa ka ngritur edhe nevojën e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Ky transformimin, sipas tij, po mbahet peng nga ana e Serbisë përmes ndikimit që e ka tek deputetët serb në Kosovë të cilët nuk po e mbështesin themelimin e ushtrisë së Kosovës.

“Jemi fuqishëm të interesuar që t’i transformojmë Forcat e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës si Forca që do të jenë mbështetëse aktive e paqes dhe stabilitetit dhe se është në interes të Republikës së Kosovës pjesëmarrja e jonë ne operacionet e mbështetjes së paqes nën ombrellën e NATO-s”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka siguruar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për angazhimin e institucioneve gjegjëse të Kosovës për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Gjatë kësaj vizite, Sekretari i Përgjithshëm te NATO-s, Jens Stoltenberg ka takuar edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, komandantin e KFOR-it, Gjeneral majorin, Giovanni Fungo, trupat e KFOR-it në Kosovë si dhe përfaqësuesit tjerë evropianë në Kosovë.

Kjo vizitë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ka zgjuar interesim të veçantë për shkak të zhvillimeve globale politike, tendencave të Rusisë për shtrirjen e ndikimit në Ballkan dhe rolit të NATO-s në këtë pjesë të Evropës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG