Ndërlidhjet

Ligji për investimet strategjike kthen investitorët


Brezovica
Brezovica

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që hodhi poshtë ankesën e një grupi të deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kundërshtuan Ligjin për investime strategjike, i njëjti pritet të hyjë në fuqi brenda 15 ditësh, kanë bërë të ditur përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se pas dekretimit të Ligjit nga presidenti i Kosovës, do të fillojë përpilimi dhe hartimi i akteve nënligjore, siç është udhëzimi administrativ për zbatimi e ligjit dhe rregullorja e komisionit ndërministror.

“Si ministri i kemi tre muaj afat ligjor për përgatitjen e akteve nënligjore në mënyrë që ligjin ta bëjmë të zbatueshëm. Ne kemi disa projekte dhe asete po ashtu kemi edhe disa investitorë që kanë qenë të interesuar në të kaluarën, mirëpo për shkak të procedurave të stërzgjatura të tenderimit nuk kanë hyrë në proceduara investuese”, ka theksuar ministrja Bajrami.

Ligjin për investime strategjike, ministrja Bajrami e konsideron të domosdoshëm, duke pasur parasysh, siç thotë ajo “se në Kosovë janë privatizuar shumë asete të rëndësishme që shpesh kanë përfunduar në duart e njerëzve të cilët kanë pasur kapital që t’i blejnë si asete, por që nuk kanë pasur projekte apo vizion për t’i funksionalizuar ato fabrika apo asete”.

Ministrja Bajrami ka sqaruar se Ligji për investime strategjike jep dy versione për investitorët potencial.

Versioni i parë është që investitorët “të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë dhe për të marrë në këmbim të investimit asete të ndryshme, resurse natyrore apo objekte bëjnë propozimet e tyre në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA)”.

Ndërkohë, alternativa tjetër që e jep ligji sipas ministres Bajrami, “është që Qeveria e Kosovës të përgatis një listë të projekteve strategjike të cilin e shpallë e pastaj investitorët do të vijnë të investojnë sipas interesave të tyre që kanë për sektor të ndryshëm”.

“Një projekt që pothuajse e kemi të gatshëm është projekti i Brezovicës, por për këtë projekt nuk vendosim vetëm ne si ministri, aty vendos Komiteti ndërministror i cili do të themelohet në bazë të Ligjit për Investime Strategjike dhe përbëhet nga disa ministra, Kryetari i Komunës në të cilën zhvillohet projekti dhe ky Komitet vendos në çfarë forme ta zhvillojë projektin”, ka theksuar Bajrami.

Shuma minimale që një projekt të konsiderohet si investim strategjik, sipas Ligjit është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro.

Te parqet industriale ose industria, minimumi i një projekti investiv duhet të jetë 10 milionë euro, derisa te energjia, infrastruktura dhe miniera minimumi i një projekti për tu konsideruar strategjik duhet të jetë 30 milionë euro.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë, thonë se Ligji për investime strategjike, hap një perspektivë të re për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ligji për investime strategjike është një mundësi e mirë për Kosovën, por që sipas tij, emëruesi i përbashkët i vënies në funksion të zhvillimit ekonomik është sundimit i rendit dhe ligjit në përgjithësi.

“Besoj që tani e tutje duhet të kemi angazhim institucional që të promovohet ligji si ligj, çka ofron ligji në vete. Duhet të kuptohet që ligji nuk mund të jetë një shkop magjik që t’i zgjidh problemet e grumbulluara nga e kaluara, por ky ligj duhet të fuqizohet edhe më tepër me sundim të rendit dhe ligjit”, thekson Gërxhaliu.

Ai thotë se ka shumë sektorë në të cilët mund të ketë investime dhe rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të vendit, por që sipas tij, autoritetet e Kosovës do të duhej të fokusohen në projekte që sjellin punësim.

“Ajo çka duhet të bëhet në këtë drejtim është rritja e atraktivitetit të Kosovës dhe forcimit të diplomacisë ekonomike në funksion të tërheqjes së investitorëve të huaj, qoftë në prodhim qoftë në shërbime, me të vetmin qëllim që të kemi punësim, të kemi rritje të eksporteve dhe deri diku të fillojë të ndërpritet avazi i eksportit të parasë së gatshme nga Kosova duke importuar mallra dhe produkte nga jashtë”, thekson Gërxhaliu.

Ndryshe, Ligji për investime strategjike në kohën kur ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës patën kundërshtuar miratimin e këtij ligji dhe ishin zotuar se ai nuk do mund të zbatohet në këto komuna, ngase sipas tyre, nuk është harmonizuar me autoritetet lokale.

Ligji, së bashku me Ligjin për Trepçën, ishte njëri nga arsyet që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës u larguan nga institucionet që prej tetorit të vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG