Ndërlidhjet

Takimi i radhës në Bruksel, Thaçi pret ulje tensionesh


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, në Samitin Bërdo - Brioni në Bosnjë dhe Hercegovinë
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, në Samitin Bërdo - Brioni në Bosnjë dhe Hercegovinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë, se pret që “tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ulen edhe më shumë” dhe që “dialogu i rinisur të çojë drejt pajtimit dhe bashkëpunimit”.

Deklarata e Thaçit erdhi vetëm pak orë përpara fillimit në Bruksel të një takimi të dytë brenda një jave në nivelin më të lartë politikë ndërmjet presidentëve Thaçi e Nikoliq dhe kryeministrave Mustafa e Vuçiq, me lehtësimin e BE-së.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi javën e kaluar pas një periudhe disa ditore të tensioneve, që u krijuan fillimisht me arrestimin, në Francë, të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj mbi bazën e një urdhër – arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe dhe posaçërisht pas nisjes për në Kosovë të një treni me ikonografi kishtare.

“Pres që të ulen edhe më tutje tensionet. Pres që të vazhdojë dialogu, të vazhdojë angazhimi për normalizimin e marrëdhënieve, për pajtim dhe bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira fqinjësore”, i tha Presidenti Thaçi Radios Evropa e Lirë në një deklaratë me shkrim.

Takimi i javës së kaluar erdhi si një përpjekje e BE-së për të ulur tensionet e ngritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që shqetësoi diplomatët për mundësinë e përshkallëzimeve.

Prishtina akuzoi Beogradin zyrtar se me nisjen e një treni me ikonografi mesjetare, siç tha, “po provonte të shkelte sovranitetin e vendit”, ndërkohë që Beogradi zyrtar e akuzoi Kosovën se me “dërgimin e njësiteve speciale të policisë në veri të Kosovës po nxiste konflikte”.

Pas takimit të javës së kaluar shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini u kërkoi përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin zotimin për të lënë prapa tensionet.

Një numër marrëveshjesh të arritura ndërmjet palëve nuk janë zbatuar përfshirë edhe heqjen e një parku mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë por edhe krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, që ka shkaktuar një valë reagimesh të opozitës në Kosovë.

Ndërkohë një mur i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, në kohën e renovimit të urës mbi Ibër, përshkallëzoi më shumë raportet ndëretnike, por autoritetet në Prishtinë u zotuan ta heqin atë në periudhën e muajit shkurt.

Takimi i 1 shkurtit në Bruksel ndërkaq bëhet se nuk ka ulur tensionet mes palëve, thonë njohës të rrethanave, megjithëse nivelet e larta politike janë thirrur për të garantuar “mbarëvajtjen e procesit dhe mbi të gjitha zbatimin e marrëveshjeve të arritura” afatet kohore të të cilave tashmë kanë skaduar. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG