Në disa qytete në Shtetet e Bashkuara, dhjetëra mijëra vetë kanë demonstruar kundër urdhërit për imigrim të presidentit, Donald Trump.
Në parkun Bateri në Nju Jork, që shikon në Shtatoren e Lirisë, demonstruesit janë tubuar mbrëmë për ta dënuar urdhërin, me të cilin kufizohen imgrantët dhe refugjatët nga 7 vende me popullatë shumicë myslimane.
Senatori i njohur demokrat, Chuck Schumer, i tha masës së tubuar se urdhëri ishte joamerikan.
“Ajo për të cilën ne flasim këtu është jeta dhe vdekja për aq shumë njerëz”, tha senatori Schumer.
Në qendër të qytetit tjetër, Boston, janë mbledhur më se 10 mijë vetë.
Në Uashington, po ashtu, janë tubuar mijëra njerëz jashtë Shtëpisë së Bardhë, duke brohoritur “Lejoni ata të hyjnë brenda” dhe duke bartur mbishkrime të ndryshme. Në njërin prej tyre shkruante “ne të gjithë jemi myslimanë”.
Masa pastaj ka marshuar nëpër rrugët e qytetit dhe ka ardhur në Hotelin Trump, vetëm disa blloqe nga ndërtesa e Kongresit amerikan.
Ky urdhër ekzekutiv i presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndikuar në arrestimin dhe dëbimin e qindra njerëzve që kishin arritur në aeroportet amerikane.