Irani i është kthyer garës për çmimin e akademisë amerikane të filmit, Oskar pasi filmi iranian i zhanrit triller psikologjik “The Salesman” është nominuar në kategorinë e filmave të huaj.
Filmi në gjuhën farsi ka regjisor, Asghar Farhadi, i cili në vitin 2012 ia ka siguruar vendit të tij nominimin e parë për Oskar me filmin “A Separation”.
Në filmin e ri, lidhja e një çifti iranian tensionohet derisa ata performojnë shfaqjen klasike amerikane “Death of a Salesman”.
Ata zhvendosen në një apartament të ri, ku një veprim i dhunshëm që ka lidhje me një ish banor të banesës iu ndryshon jetën.
Farhadi i ka thënë AP-së: “Çdo film mund të ketë ndikim në ndjenjat tona. Dhe, gjithashtu kur filmi përfundon, këto ndjenja kthehen në mendime dhe reflektim. Në rrënjë të çfarëdo ndryshimi, mund të gjendet reflektim dhe konsideratë”.
Autoritetet iraniane kanë censuruar disa filmbërës në emër të moralit islamik, por Farhadi, i cili jeton dhe punon në Iran, ka thënë se ai nuk është përballur me këtë problem.
“Sa i përket bërjes së filmit tim, nuk jam përballur me vështirësi”, i ka thënë ai Reutersit.
“Por, kur filmi ka dal në kinema, përkundër pëlqimit të madh nga publiku, ekziston një grup i vogël, shumë i vogël, që mundohen të krijojnë pengesa. Ky lloj i njerëzve ndoshta edhe këtë nominim do e marrin si një formë të konspiracionit”, ka thënë ai.