Ndërlidhjet

S'ka zbatim të marrëveshjeve pa uljen e tensioneve Kosovë-Serbi


Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, thotë se ‘hapja e urës së Ibrit, e paraparë të bëhet gjatë ditës së sotme (20 janar) është shtyrë për shkak të nxitjes së zhvillimeve negative nga Serbia.

Ajo tha se marrëveshjet e arritura mes palëve ‘nuk janë zbatuar për shkak të qëndrimeve negative nga autoritetet e Serbisë”

"Zhvillimet negative dhe tensionimet kanë bërë që Bashkimi Evropian i cili është autorizuar të bëjë hapjen, ashtu siç e bëri edhe revitalizimin, siç u hoq edhe barrikada nga ura e Ibrit, ka shtyrë inaugurimin për arsyet e larte përmendura", ka deklaruar Tahiri.

Një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në të paktën 20 gjuhë të ndryshme, që u nis të shtunën e kaluar drejt Kosovës nga Beogradi, nxitti ‘luftë fjalësh’ ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Tahiri, deklaroi po ashtu se javëve të fundit, Serbia ka bërë provokime të një-pas-njëshme me qëllim të destabilizimit të situatës në Kosovë dhe rajon.

"Provokimet kanë qenë të përmasave dramatike që përbëjnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal", është shprehur Tahiri.

Një nga marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për drejtësinë, e paraparë fillimisht që të zbatohej më 10 janar dhe e shtyrë për një javë më vonë, është penguar së zbatuari, tha Tahiri për shkak të zhvillimeve të fundit të nxitura nga Serbia.

"Të gjitha përgatitjet për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë janë bërë nga ana e Kosovës dhe zbatimi ka qenë i mundur sipas datës së paraparë, mirëpo, edhe ky proces i vonesave duhet parë në kontekstin e tensionimeve të fundit", tha Tahiri.

Njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se autoritetet e Kosovës janë treguar të pafuqishme për të kërkuar nga Brukseli dhe pala serbe që marrëveshjet e arritura të zbatohen.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se përgjegjësia në radhë të parë duhet kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe më pas edhe nga palët në dialog.

"Autoritetet në Kosovë duhet të gjejnë një mënyrë që në radhë të parë t'i dërgojnë përpara agjendat që janë në interes të Kosovës. Kosova duhet të kërkojë që krahas vazhdimit të dialogut, kërkesë kryesore të jetë zbatimi i marrëveshjeve aktuale”, tha Miftaraj.

Kosova, tha Miftaraj duhet të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve në praktikë dhe siç tha ai, në veçanti në çështjen e sundimit të ligjit.

"Në fund të vitit të kaluar kemi një marrëveshje të Kosovës me Serbinë për fillimin e punës se gjyqtarëve dhe prokurorëve në pjesën veriore dhe ishte caktuar edhe një datë. Mos të harrojmë se Kosova dhe Serbia kanë lidhur marrëveshje për sistemin e drejtësisë që nga viti 2013. Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë presionin e duhur të gjejnë mënyrën në radhë të parë të bindin BE-në që të bëjnë presion tek pala serbe që marrëveshjet të fillojnë të zbatohen sa më shpejtë që të jetë e mundur", tha Miftaraj.

Ndërkohë, zyrtarët në Këshillit Gjyqësor, nuk kanë dashur të flasin lidhur me atë se a janë gati apo ajo për fillimin e punës në veri të Kosovës.

Sipas tyre, për të gjitha çështjet në ketë drejtim mund të jap përgjigje Ministria për Dialog në Qeverinë e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi “mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës, ku një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale do të fillojnë së funksionimin në rajonin e Mitrovicës veriore”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG