Ndërlidhjet

Deputetët pyesin qeverinë: Pse nuk u rrënua muri në Mitrovicë, siç u ndal treni?


Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës dhe implikimet e Serbisë në atë pjesë, kanë nxitur reagime e debate të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, gjatë seancës së rregullt plenare.

Fillimisht kanë reaguar deputetët nga tabori opozitar, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ngjashëm me masat që u ndërmorrën për të mos e lejuar trenin me mbishkrime nacionaliste serbe të hynte nga Serbia në territorin e Kosovës, të veprohej edhe për rrënimin e murit të ndërtuar në pjesën veriore, i cili po shihet si një objekt ndarës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se gjendja në veri të Kosovës, ku mbizotërojnë strukturat paralele serbe të mbështetura nga Serbia, po tregon se është pasojë e mosveprimit të lidershipit dhe institucioneve qendrore të Kosovës.

“Treni tregoi se mungesa e sundimit të ligjit dhe rendit në veri nuk paska qenë mungesë e gatishmërisë, e guximit apo e profesionalizimit të institucioneve tona të sigurisë e as nuk paska qenë pengesë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare”.

“Por, mungesa e jonë atje dhe prania e plotë e Serbisë në veri, po del se paska qenë më së shumti mungesë e vullnetit dhe e strategjisë nga ana e udhëheqësve të Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, kërkoi që Qeveria e Kosovës të veprojë urgjentisht edhe për rrënimin e murit në Mitrovicë, i ndërtuar nga pushteti lokal i komunës së Mitrovicës veriore, që sipas bindjeve në Prishtinë, u ndërmorr pas kërkesave të Beogradit.

Si i tillë, ky mur po shihet si objekt që ndanë qytetin e Mitrovicës dhe pengon lirinë e lëvizjes.

“Siç vepruar, ta zëmë, me trenin, pse nuk po veproni njëjtë edhe me murin? – po që se dëshironi të jepni mesazhin se Kosova ka zot shtëpie gjë që deri më tani nuk e keni bërë”, ka thënë Lekaj.

Po ashtu, ai ka kërkuar që qeveria të ndërpres këtë formë të dialogut më Serbinë përderisa Beogradi të mos i shfuqizojë fletë-arrestet ndërkombëtare ndaj figurave të luftës dhe politikës nga Kosova dhe përderisa ky vend të mos e pushojë politikën e provokimeve, siç ishte rasti me trenin.

Rritja e sfidave nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes, u adresua më pas nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredin Ibishi.

Ai kërkoi që të procedohet në Kuvend sa më shpejt amandamentimi i Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë kompetenca shtesë.

“Kosova duhet të sigurojë se ka kapacitete të nevojshme për të adresuar sfidat aktuale dhe përballet me kërcënimet në të ardhmen. Kosova duhet të ketë aftësi për të mbrojtur integritetin territorial të saj si dhe të zotojë mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve të saj dhe vlerat e përcaktuara kushtetuese”, ka thënë Ibishi.

Adresimi i çështjeve të sigurisë në Kosovë është aktualizuar dukshëm pas disa veprimeve që Serbia i ka ndërmarrë në katër komunat veriore, ku ka një përqendrim të popullatës shumicë serbe.

Ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se me këto veprime, Serbia po provon të zbatojë skenarin e aneksimit të Krimesë, sipas modelit që kishte përdorë Rusia ndaj Ukrainës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG