Në Gjykatën Themelore të Shkupit, të martën është mbajtur seanca përgatitore, e dyta me radhë, rreth procesit gjyqësor të iniciuar nga Prokuroria Speciale Publike të njohur si “Fortesa II”.
Në këtë rast, ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Goran Grujovski, me gjashtë të punësuar të tjerë në këtë institucion, akuzohen se kanë shkatërruar dokumente zyrtare gjatë vitit 2015 e që kanë të bëjnë me pajisjet për ndjekje të komunikimeve të policisë sekrete.
Shqyrtimi kësaj lënde është shtyrë për në mars, me ç'rast Gjykata Penale e ka obliguar Prokurorinë Speciale që të sigurojë mendim ligjor nga Drejtoria e informacioneve të klasifikuara në lidhje me dëshmitë në rastin “Fortesa 2”, të cilat janë me vulën “sekret”.
Prokuroja Lence Ristevksa, nga Prokuroria Speciale Publike tha se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim nuk i ka deklasifikuar dëshmitë, por edhe se nuk kanë marrë përgjigje konkrete nga Ministria e Brendshme nëse dëshmitë mund të përdoren.
Përderisa seanca përgatitore për rastin “Fortesa II” ishte shtyrë për shkak se prokurorët e Prokurorisë Speciale publike nuk posedonin certifikatë sigurie për të pas qasje në informatat e klasifikuara e të cilat vlerësohet se janë me interes të veçantë për sigurinë e shtetit.
Njohësit e çështjeve juridike, thonë se qeveria e re ardhshme e Maqedonisë duhet të angazhohet në krijimi I një departamenti të veçantë në gjykatat e Maqedonisë do të krijojë kushte për procesimin pa pengesa të lëndëve që hetohen nga ana e Prokurorisë Speciale Publike.
“Të gjitha propozimet dhe aktakuzat që ka ngritur Prokuroria Speciale publike vetëm një lëndë ose dy lëndë le të themi kështu kanë arritur të marrin rrugëtim gjyqësor dhe janë formuar si lëndë penalo juridike për të cilat zhvillohet procesi gjyqësorë".
"Por, ajo që ndodh tani, Prokuroria Speciale publike has në një barrierë të madhe nga ana e gjyqësorit sepse sistemi gjyqësorë në Maqedoni nuk është i pavarur nga politika dhe veçanërisht problemi qëndron në atë se një numër i madh i gjykatësve janë të zgjedhur në mënyre ekskluzive duke plotësua kriteret partiake, përkatësisht çelësit partiak”, thotë për Radion Evropa e lirë Osman Kadriu, ish gjykatës.
Njohësit e çështjeve politike gjithashtu theksojnë se rastet e iniciuara nga Prokuroria Speciale mund të marrin epilog gjyqësor vetëm nëse VMRO DPMNE, zyrtarët e së cilës parti hetohen për përfshirje në aktivitetet kriminale nga Prokuroria Speciale publike, kalon në opozitë.
“Situata pas zgjedhore lë hapësirë në qoftë se partia e cila aktualisht është në pushtet VMRO DPMNE shkon në opozitë dhe LSDM me partitë politike shqiptare krijojnë një qeveri e cila do t’i hapë rrugë pa pengesa për të vepruar Prokuroria Speciale publike, këto janë pritjet e qytetarëve, por edhe faktorit ndërkombëtar i cili u përfshi në zgjidhjen e krizës në maqedoni”, thotë Denko Malevski ligjërues në Fakultetin Juridik në Shkup.
Në proces gjyqësor është dhe rasti i njohur për opinionin si “shuplakat” nga të ashtuquajturat bomba me ç'rast ish kryeministri Nikolla Gruevski dëgjohet duke porositur zyrtarë të partisë së tij që të godasin me shuplaka kryetarin e Komunës Qendër, si dhe të demolojnë objektin e komunës.
Përderisa, Prokuroria Speciale Publike ka bërë të ditur se ka hapur hetimet për dhjetëra raste që kanë të bëjnë me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Maqedonisë në vepra të ndryshme kriminale.