Ndërlidhjet

Kosova e gatshme për hekurudha ndërkombëtare


Stacioni hekurudhor në veri të Kosovës
Stacioni hekurudhor në veri të Kosovës

Në pjesën e parë të këtij viti pritet fillimi i rehabilitimit të rrjetit hekurudhor që lidhë Kosovën me shtetet e rajonit dhe më gjerë.

Për këtë çështje tashmë kanë përfunduar projektet e nevojshme, njëherësh janë siguruar rreth 50 për qind e mjeteve financiare.

Kështu ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, e cila merret me infrastrukturën hekurudhore.

Rehabilitimi i rrjetit hekurudhor brenda Kosovës është 148 kilometra, dhe është e ndarë në tri faza: Faza e parë fillon nga Hani i Elezit – Fushë Kosovë, faza e dytë Fushë Kosovë – Mitrovicë Jugore dhe faza e tretë është nga Mitrovica e Jugut deri në Leshak, në kufirin me Serbinë.

E gjithë ky investim, sipas tij do të kushtojë rreth 208 milionë euro, shumë kjo tashmë e siguruar.

Kjo linjë pastaj do të lidhet më korridorin e dhjetë hekurudhor që lidhë Kosovën më Ballkanin Perëndimor dhe rrjetin Trans-Evropian të Transportit.

Kjo linjë, sipas autoriteteve qeveritare, fillon nga Salzburgu dhe kalon nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Kosovë, Maqedoni dhe përfundon në Selanik të Greqisë.

“Kjo linjë siguron një lidhje me rajonin dhe Evropën dhe më të gjitha korridoret dhe rrjetin bazik të hekurudhave të rajonit dhe Evropës. Ne tashmë e kemi buxhetuar këtë linjë. Mjetet buxhetore janë siguruar nga Komisioni Evropian 50 për qind, sipas kalkulimeve tona janë 87 milionë euro, donacion kurse rreth 80 milionë janë kredi me interes të butë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga Banka Evropiane për Investime“, ka thënë ai.

Autoritetet në Prishtinë vazhdimisht kanë konfirmuar gatishmërinë për realizimin e projekteve të linjave hekurudhore dhe rrugore me vendet e rajonit, siç është linja hekurudhore Durrës - Prishtinë – Nish, projekt ky që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.

Projektet rajonale hekurdhuore ishin diskutuar edhe në Procesin e Berlinit, pjesë e të cilit është edhe Kosova.

Ky proces ishte iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, në të cilin përfshihen dymbëdhjetë shtete, gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe gjashtë shtete anëtare të BE-së.

Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian, në vitin 2015, pati premtuar se është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Projektet e përbashkëta të infrastrukturës kanë si qëllim thellimin e integrimit ekonomik me vendet e Ballkanit.

Për realizimin e këtij projekti, Thaçi thotë se janë të gatshme të bashkëpunojnë me vendet fqinje.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Republikën e Maqedonisë, me Republikën e Serbisë, në mënyrë që të zbatojmë realizimin e këtij projekti nga korridori 10, e cila linjë lidhet më korridorin e tetë të rrjetit bazik të hekurudhave të rajonit”, ka thënë Thaçi.

Edhe ekspertë të kësaj fushe konsiderojnë se integrimi rajonal përmes korridoreve hekurudhore është shumë i rëndësishëm për shkak se do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Sadullah Avdiu, profesori i lëndës "Projektimi i Hekurudhave", në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, ka thënë se e rëndësishme është se Kosova ka linja ndërkombëtare, por që nevojitet rehabilitimi i tyre.

“Pa u ndalur në momentet aktuale të situatës në Ballkan, linja hekurudhave është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm. Sepse bartë një numër shumë të madh të udhëtarëve dhe mallrave, që mjetet tjera të transportit e kanë të pamundur. Por, gjendja e tashme e infrastrukturës dhe mjeteve hekurudhore është mjaft për të dëshiruar, sepse ka shumë punë për të bërë për të ardhur në gjendje, që është dashur të ketë transporti hekurudhor”, shprehet Avdiu.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë - Pejë, Hani i Elezit - Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë - Shkup - Prishtinë.

Kurse, në periudhën e ish-Jugosllavisë, hekurudha Athinë-Shkup-Prishtinë dhe deri në Munich, ishte lidhja edhe e Kosovës me vendet e tjera në Evropë. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG