Ndërlidhjet

Të rinjtë nuk u besojnë politikanëve


Sa u besoni politikanëve?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:41 0:00

Sa u besoni politikanëve?

Politikanët e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë arsye të fortë që ta arrijnë besimin e të rinjve apo t’u besohet në fjalën e dhënë, vlerësojnë disa të rinj të Kosovës.

Ata thonë se kanë pak besim në udhëheqësit politikë të vendit, pasi që thonë se premtimet që janë dhënë prej tyre, nuk janë realizuar.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë e anketuar thonë se për aq sa mbajnë mend, deri më tash premtimet e politikanëve nuk janë realizuar dhe për sa i përket përmirësimit të jetës për të rinjtë, politikanët nuk kanë treguar ndonjë angazhim që do të mund të përmendej puna e tyre. Këto, sipas tyre, edhe janë ndër arsyet e mosbesimit që kanë ndaj politikanëve në Kosovë.

Samire Shahini, studente në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë se nuk u beson politikanëve

Jo nuk iu besoj. Shumë pak i kanë përmbushur premtimet. Ndoshta Shpend Ahmeti pak diçka më shumë ka bërë për Prishtinën. Edhe nëse ndërrohen, ne i kemi provuar krejt partitë politike dhe asnjë nuk ka bërë diçka shumë për Kosovën. Nuk kemi parë ndonjë ndryshim të madh që t’iu besojmë”, thotë Samirja.

Albion Bytyçi, student, shprehet i zhgënjyer me udhëheqësit politikë në vend.

“Hiç aspak. Me qenë mirë, nuk do të iknin krejtjashtë Kosovës. Krejt po ikin jashtë vendit prej këtyre politikanëve. Për karriget e veta po, për popull asgjë s’kanë bërë”, shprehet Albioni.

Blerim Morina, student në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, thotë se mosrealizimi asnjëherë i premtimeve nga politikanët, tashmë ka krijuar kushte që të rinjtë të ikin nga vendi.

“S’na kanë dhënë arsye për t’iu besuar. Nuk kanë punuar asgjë, sidomos për rini. Nuk shoh perspektivë, asgjë, për të jetuar në këtë vend. Ju e shihni se sa shumë po ikin dhe çdo ditë po e lëshojnë vendin. Ata e kanë një arsye shumë të fortë që e lëshojnë këtë vend, sepse nuk po mund të bëjnë asgjë këtu - as të gjejnë punë, e asgjë tjetër. Kanë premtuar sa kanë mundur politikanët, por kemi shkuar në atë masë sa nuk u besohet fare, hiç. Si të themi, tallje është bërë kjo puna e premtimeve”, shprehet Blerimi.

Ndërkaq, Visar Krasniqi, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se për t’u përmirësuar gjendja e rënduar në Kosovë në shumë fusha, do të duhej të vinte një frymë e re udhëheqësish kosovarë:

“Besimi është shumë i vogël. Duhet të vijë një gjeneratë e re, njerëz të rinj, njerëz me integritet, njerëz me profesionalizëm. Njerëz që kanë interesin kombëtar para interesit personal”.

Doruntina Bajrami, studente në Fakultetin Juridik, thotë se sidomos për të rinjtë, ndër vite nuk është parë që është punuar me interes të veçantë nga politik bërësit në Kosovë:

“Edhe vetë gjendja po shihet. Po besoj që nuk është shumë e mirë. Mendoj që duhet të bëhet edhe më mirë. Nuk po punojnë shumë për ne”.

Ibrahim Hambeli, është ekonomist i diplomuar. Ai shprehet mjaft i zhgënjyer me politikanët kosovarë:

“Këta që janë duke udhëhequr? Hiç kurrgjë. E kanë dëshmuar deri tash që nuk e meritojnë besimin dhe kaq”.

Liridon Gashi, student në Fakultetin e Arteve, dega Pikturë, jep mendimin e tij:

“Të them të drejtën, në çfarë gjendje e kanë sjellë punën, shumë pak, e hiç gati s’u besojmë. Mund të them se 90 për qind janë premtime të parealizueshme, të realizueshme shumë pak e hiç”.

Në anën tjetër, disa të rinj flasin me sarkazëm dhe ironi lidhur me atë se u besojnë ose jo politikanëve. Njëri nga ta është Flakron Sylejmani, student:

“Shumë ju besoj, sepse rrejnë shumë”.

Të rinjtë duan të gjejnë një “alternativë politike” që do të ndryshonte, sipas tyre, gjendjen në vend dhe do të ndihmonte zhvillimin e Kosovës.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG