Prishtina zyrtare do ta konsideronte jo vetëm të papranueshëm, por edhe organ paralel Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse ai themelohet njëanshëm nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës me mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.
Kështu kanë deklaruar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilëve, Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet vetëm mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pastaj duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.
Reagimet në Prishtinë, pasuan deklaratat e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili ka ritheksuar se Beogradi planifikon që në rast se Prishtina nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 15 shkurt, këtë Asociacion do ta themelojnë vet përfaqësuesit e serbeve të Kosovës, me mbështetjen e Qeverisë së Serbisë.
Ndërkohë, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se logjika e dialogut në Bruksel ka qenë shuarja dhe jo formimi i institucioneve të reja paralele.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet vetëm me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës dhe çfarëdo tjetër, do të konsiderohet vetëm një institucion paralel dhe nuk do të ketë kurrfarë efekte ligjore apo juridike në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Gecaj.
Në anën tjetër, Marko Gjuriq u ka thënë medieve serbe se “durimit i ka ardhur fundi”, duke theksuar se nëse shqiptarët e Kosovës njëanshëm shpallën pavarësinë, atëherë edhe serbët mund ta shpallin njëanshëm Asociacionin.
Madje, sipas tij, ky veprim i serbëve nuk do të konsiderohej i njëanshëm, pasi që themelimi i Asociacionit parashihet me Marrëveshjen e Brukselit, të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Por, kjo pikëpamje e Gjuriqit është kundërshtuar nga ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “Serbia nuk mund ta bëjë Asociacionin, sepse sipas Marrëveshjes së Brukselit, Asociacionin e themelon qeveria e Kosovës, në pajtim me kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku nuk parashihen kompetenca ekzekutive”.
Procesi i zbatimit të marrëveshjes për Asociacion nuk ka filluar ende, ka theksuar Tahiri. Ajo ka rikujtuar se ndërtimi i murit ilegal nga Serbia në veri të Mitrovicës është bërë mur për Asociacionin.
“Heqja e murit hap rrugën për fillimin e zbatimit për Asociacionin”, ka thënë Tahiri.
Kurse zëvendësministri Bajram Gecaj ka deklaruar se përfaqësuesit serb, kryesisht ata të Listës Serbe, duhet të ndërpresin menjëherë vendimin për bojkotimin e institucioneve qendrore të Kosovës, në mënyrë që çështja e Asociacionit të hapet për diskutim në Prishtinë.
“Për t’u themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të ekzistojë një atmosferë e përshtatshme politike. Pra, si kusht numër një është që Lista Serbe duhet të kthehet në institucione. Nuk mund të bisedojmë ne për Asociacionin për të cilin ata janë të interesuar nëse Lista Serbe e ka ngri pjesëmarrjen në institucione“, ka thënë Gecaj.
Ky Asociacion, sipas marrëveshjes, pritet që të ketë në përbërje kryetarët dhe përfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbe. Paraprakisht, do të duhet të hartohet dhe statuti i këtij Asociacioni, i cili do të marr dritën jeshile nga qeveria e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese.
Zëvendësministri, Gecaj ka deklaruar se Republika e Kosovës do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në kohën e përshtatshme, ngase këtë e sheh edhe si obligim ligjor në bazë të Marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin, 2013, por edhe në bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ku parashihet që ky organ nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive. (REL)
Facebook Forum