Ndërlidhjet

Kuvendi javën e ardhshme për Haradinajn, Lekaj kërkon angazhim konkret të Qeverisë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të mbajë të martën një seancë të jashtëzakonshme pas arrestimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, pas mbledhjes së Kryesisë, tha se për shkak të kohës së pushimeve dhe mosprezencës së deputeteve në Kosovë seanca mbahet javën e ardhshme.

"Të gjithë u pajtuam që seanca të mbahet të martën, në orën 11:00", tha Haliti.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se mbajtja e një seance të jashtë zakonshme nuk është e mundur që të mbahet më herët se më 10 janar.

Autoritetet franceze ndaluan, të mërkurën, në aeroportin e Bazelit, Ramush Haradinajn, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar që më 2004 nga autoritetet e Serbisë, me pretendimet për krime lufte të kryera në periudhën e luftës në Kosovë.

Lekaj tha se institucionet e Kosovësnuk janë duke u koordinuar siç duhet në veprimet e tyre lidhur me rastin.

"Këtu ka mangësi, nuk ka pothuajse një koordinim nga qeveria që ne të veprojmë si shtet, sepse këtu nuk e marr rastin Haradinaj si aleancë, por si një njeri që ka kontribuar në shtetin e Kosovës si ish-kryeministër, ish- luftëtar i lirisë, komandant i një zone, e sidomos është qytetar i Kosovës që i ka të drejtat e barabarta me të gjithë qytetarët e Evropës që të lëvizë lirshëm", theksoi Lekaj.

Lekaj shtoi se lidhur me rastin në fjalë më shumë janë duke e ngritur zërin autoritetet e Shqipërisë se sa ato të Kosovës.

"Mendoj se duhet më energjikisht të veprojë Qeveria e Kosovës, sidomos kryeministri e ministri i Jashtëm, e Ministria e Drejtësisë. Kur nga Qeveria e Shqipërisë kemi kërkesën që ka kërkuar urgjentisht të takohen me ministrin e Drejtësisë në Francë, atëherë pse nuk e ka bërë një gjë të tillë edhe ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës?", u shpreh Lekaj.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, një ditë më parë i tha Radios Evropa e Lirë, se “i është drejtuar sërish të premten homologut të saj francez me kërkesën për lirimin e Haradinajt” dhe tha se “po përcillen të gjithë hapat ligjor që do të mundësojnë lirimin e tij”. Hoxha iu drejtua dy herë me kërkesë ministrit francez të drejtësisë brenda vetëm dy ditëve.

Vendimi i Gjykatës franceze për mbajtjen e zotit Haradinaj në paraburgim, i jep një afat, siç thuhet në dokument, deri në “40 ditë autoriteteve të Serbisë për të kompletuar dokumentacionin me kërkesën për ekstradimin e tij”.

Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se “përfaqësuesit ligjorë të zotit Haradinaj kanë deponuar tek autoritetet franceze kërkesën për lirimin e tij me kusht”.

Zyrtarët e partisë së Haradinajt thanë se presin që brenda ditësh Gjykata të vendosë për lirimin me kusht të tij, që do të nënkuptonte “qëndrimin brenda shtetit francez deri në zgjidhjen e rastit nga gjykata franceze”.

Në Prishtinë të premten është mbajtur edhe një marsh protestues paqësor për lirimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Me moton “Ramush Haradinaj është Kosova”, protestuesit kanë marshuar nga qendra e Prishtinës deri tek Ambasada Franceze, ku më pas janë shpërndarë të qetë.

Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhër-arrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG