Ndërlidhjet

Përhapja e gripit alarmante, por nuk shpallet epidemi 


Numri i të prekurve nga gripi sezonal në Kosovë mbetet mjaft i lartë. Vetëm në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raportohet se brenda 24 orëve paraqiten rreth 135 raste të fëmijëve me grip.

Megjithatë, gjendja e tanishme, sipas vlerësimeve të Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk konsiderohet alarmante që të shpallet epidemi.

Drejtori i Klinikës Pediatrike në QKUK, Muharrem Avdiu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gripi po paraqet rrezik për shëndetin e fëmijëve, por çështja e ngritjes së shkallës së rrezikshmërisë u takon institucioneve kompetente.

“Klinika nuk mund të merr vendime për shpallje të epidemisë. Por, unë mendoj se po rrezikohen fëmijët në Kosovë në aspektin shëndetësor. Gjendja nuk është e mirë. Nuk ka vend në botë që nuk merr masa të caktuara për gjendje të caktuara. Mendoj se instancat relevant përgjegjëse nuk mund të ndihen komod”, ka thënë Avdiu.

Tutje, Avdiu shton se nuk janë ndërmarrë masa adekuate nga institucionet relevante, ndonëse siç thotë ai, është dashur që së paku dy javë të vihen masat kundër epidemisë së gripit, në mënyrë që të parandalohet sado pak përhapja e tij e shpejtë.

“Nuk janë ndërmarrë masa dhe mendoj se po shtrohet një temë që duhet të ndodhë. Për shembull mbyllja e çerdheve duhet të ndodh, pasi fëmijët i dërgojnë aty edhe me grip. Vetëm në rast të ngritjes së temperaturës i marrin fëmijët, me simptoma tjera, ata qëndrojnë aty. Grumbullimi i njerëzve në masë të madhe nuk është i mirë”, ka thënë Avdiu.

Por, epidemiologia Ariana Kalaveshi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i ka thënë Radios Evropa e Lirë se brenda këtij institucioni është komiteti për sëmundje ngjitëse që vlerëson se a duhet të shpallet epidemi gripi apo jo. Sipas saj, deri më tani nuk është parë nevoja për një gjë të tillë.

“Raste të gripit ka. Gjatë muajit nëntor kemi pasur një fluks të shtuar dhe ka pasur influencë të gripit, por edhe viroza tjera. Kjo e ka rritur numrin e pacientëve në institucione shëndetësore. Por muaji dhjetor nuk ka shënuar rritje krahasuar me muajin nëntor”.

“Ky numër i rasteve është pritur, dhe nuk e ka kaluar pragun epidemik. Andaj ne nuk kemi shpallur epidemi gripi. Gjatë muajit janar pritet që numri i të prekurve me grip të rritet pasi është edhe muaj që prek më së shumti njerëzit me grip”, ka thënë zonja Kalaveshi.

Në anën tjetër, drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike, Hamdi Ramadani ka deklaruar se vetëm gjatë muajve nëntor dhe dhjetor kanë qenë mbi 100 raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku prej tyre 27 janë shtrirë për tu trajtuar.

“Muajin nëntor dhe dhjetor kemi pasur një fluks të sëmundjes epidemike dhe numri i të sëmurëve ka arritur 104 raste në Klinikën Infektive. Ne kemi ngritur kapacitetet e stafit dhe të teknikës dhe shtretërve dhe kemi menaxhuar mirë me situatën. Nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Nga gjitha anët e Kosovës ka pasur të shtrirë. Kemi arritur t'i trajtojmë dhe të lëshohen në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi”, ka thënë Ramadani.

Sidoqoftë viruset sezonale, vlerësohet se bëhen më agresiv për shëndetin e njeriut kur ambienti është i papastër.

Kosova është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtarë në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit, sidomos në Prishtinë, ka vënë në alarm edhe Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor të Qeverisë së Kosovës, por edhe dikasteret tjera, konfirmojnë zyrtarët të kësaj ministrie. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG