Moska do të ndërmarrë “përgjigje përkatëse” ndaj sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara, të imponuara kundër diplomatëve rusë dhe agjencive të sigurisë në përgjigje të sulmeve kibernetike, që kishin për qëllim shkatërrimin e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe për keqtrajtimin e diplomatëve të Shteteve të Bashkuara në Rusi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se “absolutisht nuk ekziston alternativë për parimin e reciprocitetit këtu” dhe ka shtuar se presidenti, Vladimir Putin, do ta përcaktojë përgjigjen e Rusisë.
Peskov ka vlerësuar se sanksionet e Uashingtonit janë “politikë e jashtme agresive”.
“Aksionet e tilla të administratës aktuale në Uashington janë, për fat të keq, manifesim i një politike të jashtme të paparashikuar ose do të thoshim bile edhe agresive”, tha Dmitry Peskov.
Ai theksoi se duhet të kihet parasysh se administrata amerikane, e cila i ndërmori këto sanksione, e ka mandatin deri më 20 janar.
“Me të vërtetë ky është një faktor që duhet të merret parasysh në njërën ose mënyrën tjetër”, tha Peskov.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, vazhdimisht kishte shprehur dyshime për vlerësimet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, se forcat e sigurisë së Rusisë kanë depërtuar në kompjuterë dhe kanë shpërndrarë informacione të ndjeshme për rivalen e tij në zgjedhje, Hillary Clinton, ish-sekretare amerikane e shtetit.
Rusia i ka hedhur poshtë akuzat e zyrtarëve të agjencive të zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës për involvim në rrjedhjen e emailave nga kompjuterët e zyrtarëve më të lartë të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara.
Rrjeti televiziv CNN ka raportuar se autoritetet e Rusisë kanë urdhëruar mbylljen e një shkolle anglo-amerikane në Moskë, pasi Shtetet e Bashkuara, mbrëmë imponuan sanksione të reja për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane.
Por, as zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e as zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, nuk e kanë konfirmuar raportin e rrjetit CNN.
Nga ana tjetër, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka bëtë thirrje që Shtetet e Bashkuara “të lëvizin” mëtutje, pasi Shtëpia e Bardhë e goditi Rusinë me sanksione të reja madhore për ndërhyrje në zgjedhjet e nëntorit nëpërmjet sulmeve kibernetike.
“Në interes të vendit tonë dhe të popullit të madh të tij, unë do të takohem me liderët e komunitetit të inteligjencës javën e ardhshme, me qëllim që të njihem me faktet për këtë situatë”, tha Trump.
Gatishmëria e re e zotit Trump për ta shqyrtuar dëshminë e paraqitur nga Shtëpia e Bardhë, sugjeron se ai po përgjigjet ndaj presionit të liderëve republikanë, të cilët kanë bërë thirrje për qëndrim të ashpër kundër Rusisë, për ta dekurajuar Moskën nga ndërhyrja e tillë politike në të ardhmen.
Shtetet e Bashkuara thonë se i dëbojnë 35 diplomatë të Rusisë, derisa i shpallën sanksionet e reja ekonomike dhe masat e tjera ndëshkuese, në përgjigje të sulmeve kibernetike ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë theksohet se dy komplekse diplomatike ruse në Merilend dhe Nju Jork, që konsiderohet se ishin të përfshira në mbledhjen e informacioneve të inteligjencës, janë urdhëruar të mbyllen, ndërsa 35 diplomatë rusë, të identifikuar si operativistë të inteligjencës, do të dëbohen.
Pos kësaj, katër zyrtarë të lartë dhe entitete të ndërlidhura me agjencinë e inteligjencës ushtarake ruse, GRU, dhe agjencinë kryesore të sigurisë ruse, FSB, janë goditur me sanksione të reja financiare dhe të udhëtimit.
Agjencitë CIA, FBI dhe komuniteti më i gjërë i inteligjencës i Shteteve të Bashkuara kanë konkludurar se sulmet kibernetike, që me gjasë janë kryer me autoritetin e niveleve më të larta të qeverisë ruse, kanë depërtuar në serverët dhe emailat e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarëve të tjerë, gjatë fushatës presidenciale.
Më 9 dhjetor, e përditshmja, Washington Post, ka raportuar se zyrtarë të inteligjencës kanë konkluduar se qëllim i hakerëve rusë ishte t’i ndihmojnë zotit Trump që ta fitojë presidencën, e jo vetëm që ta shkatërrojnë besimin në sistemin zgjdhor amerikan.
E përditshmja tjetër, New York Times, ka raportuar se zyrtarët e inteligjencës kishin konkluduar se hakerët rusë kishin depërtuar edhe në kompjuterët e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, por nuk kishin publikuar emaila potencialisht dëmtues ose materiale të tjera.
Raportohet se kjo ka çuar në konkludim se qëllim i hakerëve rusë, në fakt, ishte ta ndihmojnë Trumpin për tu zgjedhur president amerikan. Ai përfundimisht triumfoi në zgjedhjet presidenciale amerikane më 8 nëntor, duke i shkaktuar disfatë kandidates demokratike, Hillary Clinton.
“Të jemi të qartë këtu, ata kanë ndërhyrë në procesin demokratik amerikan dhe në udhëheqjen e diplomacisë amerikane dhe kjo duhet të jetë shqetësuese për të gjithë amerikanët dhe anëtarët e të dy partive”, tha një zyrtar i admistratës së Shteteve të Bashkuara.
Raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë në nivelin më të ulët pas Luftës së Ftohtë, për shkak të invadimit rus të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe mbështetjes së vazhdueshmme për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.