Ndërlidhjet

Pavarësimi financiar, problem për të rinjtë


Sa është i vështirë pavarësimi financiar për të rinjtë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Sa është i vështirë pavarësimi financiar për të rinjtë?

Pavarësimi i të rinjve nga prindërit, duket të jetë i vështirë. Të rinjtë thonë se gjendja ekonomike është problemi kryesor për pavarësimin e tyre.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë të anketuarit flasin vetë për këtë dukuri. Ata thonë se është mirë që të rinjtë të pavarësohen financiarisht, mirëpo për një gjë të tillë nevojitet një vend pune.

Qëndresa Loki, studente, thotë se pa një punë të qëndrueshme nuk mund të pavarësohet nga prindërit, të cilët tash për tash, kujdesen edhe financiarisht për të.

“Sikur ta di që e gjej një punë edhe e kam një rrogë të mirë, nuk është vështirë. Kur s’ke punë, edhe s’ke para, është e vështirë’’, thotë Qëndresa.

Argjent Rexhepi, student i aktrimit, thotë se pavarësimi nga familja është i vështirë, sidomos nëse krahasohet me kohët e shkuara, që ai e cilëson atë kohë si më të lehtë, atëherë kur prindërit e Argjentit janë pavarësuar.

“Në Kosovë, duke e marrë parasysh edhe gjendjen ekonomike në të cilën jemi... katastrof, tmerr. Duke e parë edhe çfarë Qeverie kemi, që nuk i mbështet të rinjtë, normalisht që është shumë vështirë”, shprehet Argjenti.

Jona Kllokoqi, studente në Fakultetin e Artit, Dizajn Grafik, thotë se është e varur financiarisht nga prindërit, andaj pavarësimin tash për tash, e sheh si të vështirë, pasi nuk punon.

“Ende jetoj me prindërit. Ata më financojnë. Por, prej shoqërisë sime, që janë pak më të rritur, e di që është pak më i vështirë [pavarësimi] se për Prishtinë i kanë edhe rrogat e vogla, edhe nuk dinë t’i menaxhojnë paratë shumë mirë”, thekson Jona.

Emir Kryeziu, student, thotë se mundësitë për pavarësim në Kosovë janë të vogla, pasi punësimi i të rinjve është problem kryesor vitet e fundit.

“Besoj që është e vështirë në këto momente, marrë parasysh edhe gjendjen në Kosovë. Nuk ka para edhe për fakultet. Mundësitë janë të vogla. Edhe kur ta kryesh fakultetin, është problem të gjesh punë. Mundësitë janë pritja për të dalë jashtë vendit, sa për këtu nuk besoj që mund të bëhet diçka”, thotë Emiri.

Por në pyetjen tonë se a ka qenë pavarësimi më i lehtë tash, apo në kohën e prindërve të tyre, ata japin mendime të ndryshme.

Shumica nga ta thanë se gjeneratat e prindërve të tyre, e kishin më të lehtë, ngase pas shkollimit gjenin një vend pune.

“Ka qenë më lehtë atëherë. Po mendoj, secili ka punuar atëherë. Apo një anëtar ka punuar dhe 10 veta kanë ngrënë. Tash duhet 10 veta të punojnë për një. Kështu që mendoj që atëherë ka qenë më lehtë”, thotë Argjenti.

Edhe Qëndresa Loki konsideron se atëherë ka qenë më lehtë, pasi konkurrenca ka qenë më e vogël:

“Duke u bazuar në atë se si ka qenë arti më herët dhe ka pasur më pak artistë, edhe shteti ka investuar më shumë në artistë, edhe në aktorë sidomos. Kurse, tani jo - tani interesimi është zero. Më herët ka qenë më lehtë, sepse me një rrogë pak më të vogël ka qenë mundësia më e mirë”.

Edhe profesori Isa Alimusa, ka shprehur dëshirë të japë mendimin e tij lidhur me atë se sa kanë perspektivë pune të rinjtë në Kosovë sot.

“Atëherë kanë qenë rrethana krejt tjera. Ka qenë një sistem politik dhe ekonomik krejt tjetër. Në një formë shoqëria ka qenë e përqendruar në sisteme të edukimit të të rinjve. Të rinjtë e kanë pasur një perspektivë të fiksuar. Tani po më dhimbsen të rinjtë, sidomos në Kosovë, sepse perspektiva e tyre nuk shihet për momentin”, thotë Alimusa.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG