Ndërlidhjet

McCain: Duhet komision i unifikuar për hetimin e sulmeve kibernetike ruse


Një senator republikan me ndikim, ka bërë thirrje që komisioni i cili do të hetojë se deri ku ka shkuar ndërhyrja ruse gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, të jetë i unifikuar.

Senatori John McCain nga Arizona, i ka thënë rrjetit televiziv, CNN mbrëmjen e 18 dhjetorit, se hetimet e disa fishta të sulmeve të dyshuara kibernetike ruse do të ishin të pamjaftueshme.

Ai ka bërë thirrje që kjo të bëhet prej një komisioni të vetëm që përbëhet nga pjesëtarë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

“Kjo çështje është serioze”, ka thënë ai.

McCain është udhëheqës i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, që pritet në muajin janar të fillojë hetimin e asaj se deri ku kanë shkuar sulmet kibernetike ruse. Një hetim tjetër për këtë çështje do e bëjë edhe Komiteti i Senatit për Inteligjencë dhe Marrëdhënie me Jashtë.

Lideri i Senatit, Mitch McConnell, po ashtu republikanë, megjithatë i ka hedhur poshtë thirrjet për një komision të zgjedhur, për të verifikuar seriozitetin e dyshimeve.

Komuniteti amerikan i inteligjencës ka thënë se hakerët e përkrahur nga qeveria ruse kanë ndërhyrë në serverët dhe adresat e emailit të Partisë Demokratike amerikane. Lajmi i fundit është se edhe serverët e republikanëve janë sulmuar. Dhe, javën e kaluar, gazeta “The Washington Post” ka raportuar se FBI është pajtuar me qëndrimin e CIA-s se hakerët rusë kanë ndërhyrë për të ndihmuar Donald Trump të fitojë zgjedhjet presidenciale.

Presidenti amerikan, Barack Obama e ka mbrojtur së fundi reagimin e administratës së tij ndaj dyshimeve për sulme kibernetike ruse.

Obama iu ka thënë gazetarëve më 16 dhjetor se ai është përballur me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë një samiti në Kinë në muajin shtator, duke i thënë ish shefit të KGB-së, tani president i Rusisë, “ndalo” sulmet.

Agjencitë e inteligjencës më pas kanë zbuluar se ndërhyrjet janë ndaluar.

Kremlini deri më tash ka hedhur poshtë raportimet se sulmet kibernetike janë bërë nga apo me përkrahjen ruse. (REL)

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG