Ndërlidhjet

Bizneset e “falimentojnë” njëri tjetrin


Ilustrim
Ilustrim

Nga mungesa e ideve dhe kreativitetit në Kosovë janë krijuar biznese me veprimtari të ngjashme, duke krijuar konkurrencë të panevojshme mes njëri tjetrit, duke shkaktuar më pas probleme të ekzistimit të një biznesi, thonë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të fushës së ekonomisë.

Ata thonë se në Kosovë ka shumë biznese të një veprimtarie, derisa mungojnë biznese të veprimtarive tjera.

Sipas të dhënave zyrtare, veprimtaritë ekonomike që në Kosovë nuk janë në numër më të madh janë ato prodhuese, derisa tregtia mbetet veprimtaria më dominuese.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në mungesë të një strategjie kombëtare për të orientuar investimet, në Kosovë mund të ketë një sektor tepër të zhvilluar, kurse sektorët tjerë t’i mungojnë tregut.

“Një trend negativ i kopjimit të bizneseve ka të bëjë me hapjen e qendrave tregtare, marketeve të ndryshme. Në secilën lagje në Kosovë ne kemi shumë markete, dyqane të një lloji, kurse mungojnë të tjerët dhe kjo është e panevojshme në shoqërinë kosovare. Dhe në fund, shumica nga to përfundojnë të falimentuara”, thotë Shahini.

Kopjimi i ideve për biznes edhe sipas ekspertit të çështjeve ekonomike, Naim Gashi, ka bërë që disa biznese të jenë të paqëndrueshme.

“Dukuria e kopjimit të bizneseve është relativisht e përhapur në Kosovë. Viteve të kaluara kanë qenë në trend ndërtimi i pishinave, më pastaj pompat e benzinave, dukuri e cila vazhdon, por edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme jashtëzakonisht kopjojnë."

“Shkaktar i kësaj është mungesa e ideve për të bërë biznes, pasi që zakonisht ata që kanë ide nuk kanë para, ndërsa ata që kanë para nuk kanë ide. Gjithkund në botë, ata që kanë ide dhe nuk kanë para dhe ata që kanë para por nuk kanë ide bashkohen dhe krijojnë biznese që mungojnë në treg dhe në këtë mënyrë mbijetojnë në treg”, thekson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Prodhuesit kosovarë, para se të futen në biznes, sugjeron Gashi, do të duhej t’i marrin statistikat e Doganave të Kosovës dhe të shikojnë se cili mall po importohet në Kosovë dhe cilat shërbime po blihen dhe të provojnë ta plotësojnë tregun me mallrat që vijnë nga jashtë.

“Institucionet akademike dhe shkencore në Kosovë duhet të japin kontributin më të madh nëpërmes dhënies së ideve, projekteve zhvillimore, ku duhet të orientojnë bizneset në cilët sektorë ata mund të futen dhe në cilin sektor nuk kanë leverdi ekonomike”.

“Investimet e gabuara janë të dëmshme, si për investitorin ashtu edhe për tregun, pasi që krijojnë një konkurrencë jo lojale, për arsye se ngopja e tregut me mallra dhe shërbime shkakton rënien e çmimit dhe rënia e çmimit e ul çmimin nën çmimin e kostos dhe në atë mënyrë prodhuesit punojnë me humbje”, thotë Gashi,

Ndërkohë, përfaqësuesi i bizneseve, Agim Shahhini, konsideron se qeveritë lokale duhet të krijojnë një strategji, e cila jep mundësi sektorëve të ndryshëm. Po ashtu, shton ai, duhet të bëhen studime të fizibilitetit, si dhe të studiohen planet biznesore.

“Nëse nuk bëhen këto strategji, shteti mund edhe të humb, pasi krijohet konkurrencë e pa nevojshme, konkurrencë e pa drejtë dhe këtu tentohet që të fshihet tatimi për të qëndruar në treg. Besoj se këtu duhet të analizohet mirë dhe këtu duhet të jepet mundësia vetëm për aty ku ka nevojë të hapet", thotë ai.

Numri i falimentimit të bizneseve në Kosovë konsiderohet të jetë i madh. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, nga janari i këtij viti e deri më tani, janë mbyllur mbi 2,200 biznese. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG