Ndërlidhjet

Liberalizimi “mundësi” për braktisjen e Kosovës 


Ilustrim
Ilustrim

Pak qytetarë të Kosovës do ta shfrytëzonin liberalizimin e vizave për qëllime turistike apo të tjera, por shumica prej tyre do të kërkonin një jetë më ndryshe sesa ajo në Kosovë.

Të rinj dhe - siç thonë - të paperspektivë, konsiderojnë se e ardhmja e tyre nuk mund të shihet në vendin e lindjes. Liberalizimi i vizave, thonë të rinjtë e Kosovës, është mundësi e mirë për ta lëshuar Kosovën në kërkim të një jete ndryshe.

Endrit Hasani, student në Fakultetin Juridik, thotë se liberalizimin do të mundohet ta shfrytëzojë për të ikur nga Kosova, pasi, thotë ai, në Kosovë nuk ka perspektivë.

“Nuk ka punë në Kosovë. E Përfundon fakultetin dhe prapë mbetesh pa punë . Kështu që, mundësia e parë që më jepet do të dal jashtë Kosove dhe nuk do të kthehem më”, thotë Endrit Hasani.

Në kërkim të një të ardhme më të mirë është edhe Besarta Behrami.

“Jeta në Kosovë nuk është e mirë për të rinjtë. Në të gjitha institucionet ka nepotizëm. Papunësia është e lartë. Përfundon studimet dhe qëndron në shtëpi. Unë me dëshirë do të braktis Kosovën për një të ardhme më të mirë”, shprehet Besarta.

Dhjetëra mijëra qytetarë u larguan nga Kosova në fillim vitin e kaluar, duke shfrytëzuar kalimet ilegale përmes Serbisë drejt vendeve të BE-së. Shumica syresh thanë se paperspektiva në vend dhe pamundësia për të gjetur punë i bën që të emigrojnë.

Kalimi ilegal i kufirit Serbi - Hungari
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Kosova llogaritet të jetë një ndër vendet më të izoluara në Evropë dhe për t’u mundësuar qytetarëve të saj lirinë e lëvizjes në vendet e BE-së, ajo duhet të përmbushë edhe dy kriteret e mbetura; ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të fuqizojë përmes rezultateve konkrete luftën kundër korrupsionit.

Heqja e vizave nga Bashkimi Evropian, thonë ekspertët, mund të keqpërdoret nga qytetarë të Kosovës për të qëndruar në vendet e BE-së.

Ata përmendin eksperiencat e shteteve tjera që kishin në fillim të zbatimit të këtij procesi, të cilat kanë dëshmuar se ka pasur fluks të emigrimit.

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë se në rast të liberalizimit të vizave për Kosovën, arsyet ekonomike mund të jenë faktorë që mund të ndikojnë në “ keqpërdorimin” e procesit të liberalizimit të vizave dhe eventualisht rikthimin e regjimit të vizave për Kosovën.

“Nëse Kosova ballafaqohet me një skenar të tillë, që në Kosovë askush nuk e dëshiron, që do të ketë lëvizje masive të njerëzve pas procesit liberalizimit dhe qytetarët e Kosovës do t’i shkelin rregullat e zonës Schengen, duke mos u kthyer brenda periudhës se caktuar kohore, normalisht se mund të konsiderohet mundësia e rikthimit të regjimit të vizave. Dhe ky do të ishte një rast që asnjëherë në historinë e procesit të liberalizimit të vizave, në asnjë vend, nuk ka ndodhur”, shprehet Mazreku.

Liberalizimi i vizave, në asnjë rast, nuk mundëson punësim apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen. Udhëtimin pa viza mund ta bëjë çdo qytetar, shtetas i Republikës së Kosovës, që posedon pasaportë biometrike.

I gjithë dëshpërimi dhe zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës vie si pasojë e pritjeve të mëdha të tyre për përmirësim të kushteve ekonomike, që pas shpalljes së pavarësisë, thonë sociologët.

Sociologu Besnik Peci shprehet se niveli i papunësisë, varfërisë, korrupsionit, keqpërdorimi i taksave të qytetarëve, janë vetëm disa nga faktorët që qytetarët janë pesimistë për një të ardhme më të kënaqshme në Kosovë.

“Pse është kjo gjendje kryesisht depresive në mesin e popullatës sonë është se kemi pasur një optimizëm jashtëzakonisht të shprehur. Dhe ky optimizëm është paraqitur edhe në të gjitha raportet ndërkombëtare, ndërsa rezultati në terren është i dobët dhe si pasojë ka ndodhur që ndjenja e qytetarëve të bie në këtë nivel."

"Sado që autoritetet në vend kanë shprehur besimin e tyre për mundësinë e liberalizimit të vizave, madje edhe brenda muajit dhjetor të këtij viti, gjendja në terren shfaqet më ndryshe", thotë Peci.

Më skpetikët thonë se Kosova mund të mos radhitet në mesin e shteteve me lëvizje të lirë as edhe vitin e ardhshëm, marrë parasysh zhvillimet e brendshme dhe problemet politike në vend. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG