Ndërlidhjet

Deda: Kosova të përgatitet për goditjen që do të marrë nga Gjykata Speciale


 Ilir Deda gjatë intervistës në studio për Radion Evropa e Lirë
Ilir Deda gjatë intervistës në studio për Radion Evropa e Lirë

Skenës politikë në Kosovë, së shpejti do t'i shtohetedhe një subjekt politik, me emrin Alternativa. Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila, janë dy nga emrat që tash për tash dihen si pjesë e këtij subjekti. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ilir Deda flet në lidhje me fazën e themelimit të Alternativës, si dhe komenton zhvillimet aktuale në lidhje me demarkacionin, liberalizimin e vizave, zgjedhjet e lira si dhe efektet e Gjykatës Speciale për krime lufte, e cila do të nisë punën nga viti 2017.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Deda, që kur lëshuat Lëvizjen Vetëvendosje, ju patët paralajmëruar formimin e një subjekti të ri politik. Ku qëndrojnë, aktualisht, punët rreth themelimit të këtij subjekti apo partie politike?

Ilir Deda: Kur e kam lëshuar Lëvizjen Vetëvendosje, pata thënë se do të angazhohem në krijimin e një subjekti të ri politik, i cili do të nënkupton ri-rreshtim të njerëzve të politike dhe të atyre që nuk kanë qenë në politikë, me të cilët e ndajmë vizionin e njëjtë për shtet-ndërtim. Subjekti është në proces të themelimit. Emri është Alternativa. Tash jemi në fazën e krijimit të këshillave iniciues në nivel komunal.

Do të dalim në publik në atë moment, të cilin ne e konsiderojmë se është më i përshtatshëm për ne.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të flasim për emrat. Kush e përbën këtë Alternative të re politike?

Ilir Deda: Politika e emrave në Kosovë na ka sjellë në situatën në të cilën jemi. Kjo është një temë e imponuar. Mendoj që neve na duhet një ndryshim rrënjësor politik, ku do të ketë njerëz me kredibilitet gjithandej dhe të dëshmuar në fushat e tyre. Këta njerëz janë duke ardhur apo janë duke u bërë pjesë e ndërtimit të subjektit të ri politik. Në fund të fundit do të jetë vizioni se si e shohim ne Kosovën. Kjo çështja e emrave pak është e tejkaluar, sepse shiheni edhe 17 vjet pas luftës ne kemi përfunduar në një kornizë të njëjtë të debatit me probleme, të cilat po thellohen.

Me një izolim të Kosovës, me humbje të shumë mundësive që i ka ofruar viti 2016 dhe koncepti i ri politik, mendësi të re politike dhe qasje tjetër në politikë dhe politikë-bërje. Kjo çështja e emrave është një kornizë, e cila është imponuar në Kosovë që prej pas luftës, sepse në fund të fundit, partitë politike nuk mund të jenë klub i njerëzve medial, por duhet të jetë besimi në vizionin e përbashkët, e sidomos në zgjidhjen e problemeve që i ka Kosova dhe kjo është ajo që do të na bashkojë të gjithëve në këtë fazë dhe fazat e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilit spektër politik i takon Alternativa?

Ilir Deda: Kjo do të definohet e gjitha në konventën kur do të prezantohet Alternativa. Është pjesë e konsultimit dhe vendimmarrja do të jetë e përbashkët. Nuk do të jetë qëndrim i imi apo i Mimoza Kusarit, apo dikujt tjetër. Do të jetë vendim i përbashkët.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë edhe në disa çështje aktuale... Si e shihni ju tani problemin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, i cili po ndikon drejtpërdrejt në vendimin për mosliberalizimin e vizave. Si e shihni zgjidhjen?

Ilir Deda: ​Gati një vit e gjysmë merremi me demarkacionin dhe Qeveria e Kosovës nuk ka sens politik, dhe bllokimi i jetës politike në Kosovë me çështjen e demarkacionit është edhe bankrot i politikës aktuale, sepse humbja e liberalizimit të vizave sivjet do të thotë që ne me vite nuk do ta kemi mundësinë për lëvizje të lirë. Kjo, kryekëput për shkak të paaftësisë së politikës së Kosovës që ta zgjidhë një problem çfarë është demarkacioni. Tash po del që kontestuese janë 2 mijë hektarë.

Unë nuk mund të besoj se si një qeveri nuk është e aftë që të ndërtojë konsensus për zgjidhjen e një kontesti, i cili i ka 2 mijë hektarë që të përfitojmë, sepse kjo është mundësia e fundit, faktikisht, për qytetarët e Kosovës që të marrin dhe gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë në kontinentin ku jetojnë.

Humbja e kësaj mundësie do të jetë bankrot i politikës së Kosovës dhe do të na fusë në një situatë ku ne nuk do ta dimë se kur do të kemi mundësi që të jemi afër liberalizimit të vizave. Në Evropë po ndodhin ndryshime të thella të cilat nuk janë domosdo pozitive për Kosovën. Shkurtpamësia e qeverisë së sotme po na e humb mundësinë, për të cilën shumë e shumë njerëz kanë punuar, që të jemi afër të drejtës që e gëzojnë qytetarët e tjerë në Evropë.

Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni zgjidhjen, te konsensusi politik mes pozitës dhe opozitës?​

Ilir Deda: Çdo problem ka zgjidhje. Edhe çështja e demarkacionit ka mundur të zgjidhet në konsensus ndërmjet qeverisë dhe partive opozitare. Nuk ekziston vullneti në anën e qeverisë që të vijë deri te një konsensus i tillë dhe ata, ose kryeministri, në vend që ta kërkoj fajtorin tek opozita, ai duhet që fajin dhe përgjegjësinë ta marrë vetë.Ai nuk është i gatshëm që t’ia shtrijë dorën e pajtimit një pjese të popullit të vet që përfaqësohet nëpërmjet opozitës parlamentare që të zgjidhet ky problem, pra çështjen e demarkacionit.

Radio Evropa e Lirë: Sa herë që shtrohet çështja e mungesës së konsensuseve politike dhe pamundësia e marrjes së vendimeve për çështje të mëdha, ngrihen edhe dilemat nëse vendi ka nevojë për zgjedhje. Sa e shihni ju si zgjidhje opsionin e zgjedhjeve nëse nuk tejkalohen këto pengesa?

Ilir Deda: Çështja më brengosëse për ne, si shtet, dhe si popull në Republikën e Kosovës ka të bëjë me izolimin e shtetit të Kosovës, humbjen e kredibilitetit, me bankrotimin e politikës dhe me mundësinë e humbjes së popullit. Nëse e shohim se çka na pret vitin e ardhshëm, ne duhet të jemi shumë më shumë të mobilizuar si politikë për atë se si do të sillemi me procesin e Gjykatës Speciale. Ndërsa, një qeveri, e cila nuk është e aftë që t’i zgjidhë problemet e qytetarëve, duhet të dorëhiqet.

Nuk mund të ketë imponime të vullnetit politik në Kosovë. Edhe data e zgjedhjeve duhet të jetë rezultat i konsensusit politik.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët Gjykatën Speciale dhe efektet. Si duhet të sillet politika e Kosovës në raport me këtë Gjykatë, sipas jush?

Ilir Deda: Tash, këtu në opinion diskuton një lloj debati se kush do të jetë i akuzuar. Mendoj se nuk është me rëndësi se kush do të jetë. Ajo do të jetë një goditje e fortë në proces të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse ne nuk e kemi përfunduar shtetësinë në nivelin ndërkombëtar. Imagjinojeni se çfarë do të bëjë Rusia me disa vende tjera, me Serbinë, në momentin që të vijnë aktakuzat.

Për këtë është me rëndësi që të ekzistojë konsensusi politik se si do të sillemi si politikë gjatë aktakuzave që do të ngrihen vitin e ardhshëm. Si do ta menaxhojmë politikisht atë fazë dhe cili do të jetë mesazhi ynë si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës?! Por, kjo duhet të jetë konsensuale. Nuk mund të jetë mesazh i parcializuar.Për këtë po e them unë se është shumë sfiduese, sepse luftërat dhe krimet në ish-Jugosllavi janë duke u harruar për vendet e tjera, kurse po hapet një kapitull kur një Gjykatë gjysmë ndërkombëtare do të merret kryekëput me Kosovën dhe vetëm me shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë dhe është një etnike, çka është jo pozitive.

Në këtë gjysmë izolimi në të cilin jemi dhe me shtetësi të papërfunduar, me politikë jo kredibile, unë nuk po them se do të goditet shtetësia e Kosovës, por do të jetë në nivel ndërkombëtar një goditje për ne dhe ne duhet ta kemi përgjigjen për këtë.

Për këtë arsye na nevojitet menaxhimi politik, sjellja e brendshme dhe jashtë Kosovës dhe si dhe mesazhi që dërgojmë janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Por, duke e parë nivelin e njerëzve të cilët e udhëheqin Kosovën, nuk e shoh vullnetin tek ata që të ndërtojnë një konsensus të tillë.​ (REL)​

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG