Ndërlidhjet

Me fshehjen e financave, partitë i hapin derën korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim

Të gjitha partitë parlamentare, përveç njërës, kanë dështuar t’i bëjnë transparente financat e tyre, ka konstatuar Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Që nga viti 2013, këto parti politike, kanë fshehur financat e tyre nga publiku.

Fshehjen e financave e ka ngritur si shqetësim Bashkimi Evropian përmes Zyrës në Prishtinë dhe Përfaqësueses së BE-së, Natalia Apostolova.

Në një prononcim me shkrim që i ka dërguar Radios Evropa e Lirë, Zyra e BE-së në Prishtinë thekson se partitë politike e kanë për obligim që t’i publikojnë llogaritë e tyre financiare në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe llogaridhënie të cilën e meritojnë qytetarët e Kosovës.

“Llogaridhënia dhe përgjegjësia publike mbështetet në transparencën dhe shqyrtim publik. Mungesa aktuale e transparencës dhe e mekanizmave të fuqishëm për të zbatuar ligjin, hapë derën për korrupsion. Po ashtu, kjo ndikon në minimin e besimin publik në dëm të zhvillimit demokratik të Kosovës”, thuhet në prononcimin e Zyrës së BE-së.

Ndryshe, sipas Ligjit për financimin e partive politike, burimet financiare dhe materiale të subjekteve politike përbëhen nga financimi publik përmes buxhetit të Republikës së Kosovës dhe donacionet tjera.

Po, sipas këtij ligji, raportet vjetore financiare të partive politike, duhet të publikohen në faqet e veta zyrtare dhe duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror Zgjedhor, të cilat, sipas zyrtarëve të këtij komisioni, “me kohë janë dorëzuar”.

Por, vetëm Lëvizja “Vetëvendosje”, çdo herë publikon raportet kurse partitë tjera nuk e përmbushin këtë obligim ligjor.

Pas dorëzimit të raporteve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ato duhet të auditohen nga auditorët, të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës nëpërmjet Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, me anë të një thirrjeje të hapur publike për aplikim.

Por, që nga viti 2013, nuk është bërë një auditim i tillë.

Sipas burimeve zyrtare të siguruara nga administrata e Kuvendit të Kosovës, thuhet që edhe në vitin 2016 është zhvilluar një procedurë për Auditimin e Raportit Vjetor Financiar dhe i Raportit të Deklarimit Financiar të Fushatës së Subjekteve Politike, për vitin 2013, 2014 dhe 2015. Por, procedura është anuluar, sepse nuk ka pasur asnjë ofertë.

“Ky Auditim nuk ka arritur të kryhet për këto vite pasi vështirësitë për realizim të procedurave kanë qenë, numri i madh i Auditorëve Ligjorë të kërkuar me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, të cilët nuk kanë arritur t'i ofertojnë kompanitë. Ndërsa disa nga ofertat e tejkalonin buxhetin e paraparë”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Aktualisht për vitin 2016, kanë përfunduar mundësitë e rishpalljes së ofertës për auditimin e partive politike.

Sipas përvojave dhe dispozitave ligjore aktuale, në dokument konstatohet se është i pamundur auditimi i partive politike pa ndryshimin dhe plotësimin e ligjit.

Sidoqoftë, organizatat joqeveritare në Kosovë mos deklarimin e të hyrave dhe shpenzimeve vazhdimisht e kanë paraqitur si shqetësim dhe problem.

Artan Canhasi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për Radion
Evropa e Lirë se nuk është problem auditimi sa është problem mospublikimi raporteve.

Mbetet e paqartë, thotë ai, se sa është shuma e mjeteve që shpenzojnë partitë politike dhe nga financohen.

“Arsyeja e vërtetë është mospublikimi i raporteve financiare dhe më pas kjo po lidhet me auditimin e tyre. Për mendimin tonë, këto dy çështje nuk kanë nevojë të lidhen. Auditimi e tregon vetëm se këto raporte janë të vërteta dhe të sakta”.

“Ajo që na intereson është se sa shpenzojnë partitë politike, pasi duket se shpenzojnë shumë. Partive më shumë u pengon të tregojnë se çfarë shume të mjeteve janë duke shpenzuar”, ka thënë Canhasi.

Edhe në përgjigjen e zyrës së Bashkimit Evropian, thuhet se qytetarët dhe votuesit kanë të drejtë të dinë se kush i financon partitë politike dhe kandidatët e tyre të cilët kërkojnë t'i përfaqësojnë ata, dhe si shpenzohen këto para.

Megjithatë, të hyrat dhe shpenzimet e partive politike, përveç partisë Demokratike të Kosovës i posedon Radio Evropa e Lirë.

Sipas raportit financiar për vitin 2015 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të hyrat e përgjithshme kanë qenë mbi 970 mijë euro. Nga kjo vlerë, 945 mijë euro janë të hyra nga buxheti i Kosovës, kurse gjithsej shpenzime - mbi 450 mijë euro.

Kurse, në raportin e Lëvizjës Vetëvendosje, të publikuar në faqen e vet zyrtare, thuhet se gjithsej të hyrat për vitin e kaluar, kanë qenë 602 mijë euro, kurse shpenzimet kanë qenë rreth 590 mijë euro.

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nga buxheti i Kosovës, gjatë këtij viti, i janë ndarë rreth 380 mijë euro, kurse rreth 5000 euro është vlera mujore që sigurojnë nga donatorët. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG