Autoritetet e Turkmenistanit e kanë arrestuar gjatë javës së kaluar një bashkëpunëtor të Radios Evropa e Lirë, disa ditë pasi e kanë kërcënuar një nga korrespondentët e REL-it me arrestim dhe një tjetri i kanë shkaktuar lëndime gjatë disa sulmeve të dhunshme ndaj tij.
Allashov Khudayberdy është ndaluar në pjesën veriore të Turkmenistanit më 3 dhjetor pasi policia ka hyrë në shtëpinë e tij, e ka rrahur dhe ka rrethuar familjen e tij.
Allashov dhe nëna e tij tani akuzohen se posedojnë duhan që përtypet, i cili ndonëse nuk është i ligjshëm në Turkmenistan, përdoret rregullisht në këtë shtet dhe asnjëherë nuk ka pasur arrestime për këtë.
Bashkëshortes së Allashovit i është thënë se ai e ka pranuar që posedon 11 kilogramë të këtij prodhimi, një pohim që ajo thotë se është bërë me presion, dhe tani mund të përballet me dënim deri në 7 vjet burg.
“Ne besojmë se këto akuza janë pjesë e një fushate me cak që ka për qëllim të heshtë Shërbimin e Turkmenistanit dhe të frikësojë popullin e Turkmenistanit”, ka thënë përmes një komunikate, presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent më 5 dhjetor.
“Përgjatë 18 muajve, reporterët tanë janë arrestuar, janë mbajtur pa komunikim, janë rrahur, marrë në pyetje, kërcënuar dhe burgosur në mënyrë arbitrare dhe për këtë ne e mbajmë qeverinë e Turkmenistanit përgjegjëse”, thuhet më tej në këtë komunikatë.