Ndërlidhjet

Të rinjtë të rëndësishëm për partitë vetëm gjatë zgjedhjeve


Maqedoni - Të rinjtë maqedonas gjatë një konference për fuqizimin e ndërmarrësve të rinj
Maqedoni - Të rinjtë maqedonas gjatë një konference për fuqizimin e ndërmarrësve të rinj

Organizatat e të rinjve në Maqedoni kanë kërkuar që në kuadër të Parlamentit të formohet një komision i veçantë për të rinjtë, apo departament i veçantë i lobimit të grupit të të rinjve, i cili do të shfrytëzohet si mekanizëm nga ana e të rinjve që ata në formë të drejtpërdrejtë të mund të ndikojnë në krijimin e politikave shtetërore nga ana e shumicës parlamentare.

Damjan Nikollovski, kryetar i Këshillit Kombëtar të të Rinjve në Maqedoni, thotë se partitë politike duhet të krijojnë hapësirë që të rinjtë të jenë pjesë aktive gjatë krijimit të politikave në çdo pore të shoqërisë.

“Ajo që në vazhdimësi kërkojmë nga partitë politike është që ato të prodhojnë politika efektive për perspektivat e të rinjve në Maqedoni, që nënkupton arsimim cilësor, mundësi për të siguruar një vend pune në përputhje me përgatitjet e tyre profesionale dhe para së gjithash t’u mundësohet atyre që në mënyrë aktive të kyçen në krijimin e politikave shtetërore”, thekson Damjan Nikollovski.

Sipas tij, cilado qoftë parti e cila do të dalë fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, mbi të gjitha, duhet fokusuar në problemet socio-ekonomike me të cilat përballen të rinjtë në Maqedoni për të mos e shikuar perspektivën vetëm jashtë vendit.

Ndërkaq, Mejreme Kurtishi, kryetare e unionit të nxënësve të shkollave të mesme në gjuhën shqipe, thotë se të rinjtë që për herë të parë fitojnë të drejtën për të votuar, joshen me realizmin e interesave personale dhe jo ato grupore prandaj edhe lehtësisht bëhen pjesë e fushatës dhe njëkohësisht me të njëjtën lehtësi braktisen menjëherë pas zgjedhjeve.

“Ne, si të rinj, ndjehemi shumë të anashkaluar në këtë aspekt, pasi evident është fakti se partitë politike, ku janë zgjedhjet, me çdo kusht synojnë të na afrojnë në gjirin e tyre posa ne i mbushim 18 vjet dhe kemi të drejtë vote. Por, pasi të përfundojnë zgjedhjet, ata mbyllin të gjitha dyert kur duhet të dëgjojnë idetë tona, kërkesat tona”, thotë Mejreme Kurtishi.

Edhe Dona Kosturanova, nga Forumit Arsimor Rinor në Maqedoni, thotë se partive politike u bie ndër mend për të rinjtë vetëm kur janë zgjedhjet, duke i konvertuar ata si vota, ndërkohë që asnjëra nga ato gjatë fushatës zgjedhore nuk ka shpalosur projekte serioze përmes së cilave synohet sigurimi i një të ardhme me perspektivë për gjenerata të reja.

“Të rinjtë, kryesisht, në asnjë rast nuk paraqesin prioritet për partitë politike, vetëm se situata ndryshon gjatë periudhës parazgjedhore. Përkatësisht, partitë politike janë të vetëdijshme se bëhet fjalë për një grup të madh që paraqet forcë, madje vendosëse sa i përket rezultatit të zgjedhjeve. Por, realisht menjëherë pas zgjedhjeve edhe ajo pak që është inkorporuar në programet e partive politike lihet në harresë”, thekson Kosturanova.

Ndryshe, organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e të rinjve thonë se menjëherë pas zgjedhjeve duhet të pësojë ndryshime rrënjësore edhe Agjencia për të Rinjtë dhe Sport, pasi ky institucion funksionon pa resurse të mjaftueshme, të cilat do të inicionin projekte për të mirën e të rinjve. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG