Ambasadorët e pesë vendeve më të zhvilluara, të njohur si QUINT, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, në veçanti sistemit të drejtësisë në vend, që të fuqizojnë luftën kundër korrupsionit.
Thirrjet e ambasadorëve të vendeve përkrahëse të Kosovës, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë, u bënë në kuadër të hapjes zyrtare të Javës kundër korrupsionit në Kosovë.
Duke e vlerësuar paraqitjen e përbashkët të përfaqësuesve në Kosovë të vendeve të QUINT-it, ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, tha se “rëndësia e luftimit të korrupsionit mbetet tek qytetarët e Kosovës”.
“Korrupsioni nuk është problem i ri për Kosovën. E di se biseda dhe kërkimi për gjetjen e zgjidhjeve është duke vazhduar. Por, këtë javë, për herë të parë, jam krenar që po shoh një koalicion në mes të ambasadave dhe shoqërisë civile në Kosovë që po e ngrisin zërin duke ofruar zgjidhje konkrete përmes veprimeve dhe betejës kundër korrupsionit”, ka thënë Delawie.
Sipas tij, “sondazhet tregojnë se qytetarët e Kosovës nuk kanë besim në drejtësinë e gjyqësorit”.
Ambasadori tha se “ambasada që përfaqëson po punon ngusht me Ministrinë e Drejtësisë dhe me institucionet e tjera për të hartuar një ligj me të cilin do të forcohen kapacitetet e Zyrës së Prokurorit Disiplinor, si një komponentë thelbësore për të rikthyer besimin në sistemin e drejtësisë dhe për të ndihmuar gjyqtarët dhe prokurorët që të veprojnë me përgjegjësi”.
Përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Kosovë thanë se janë të vetëdijshëm për praninë e korrupsionit në Kosovë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, tha se korrupsioni është një kancer për Kosovën dhe se po minon të ardhmen e këtij vendi.
“Mos të pretendojë askush që bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar që të luftojë korrupsionin. Prania e ambasadorëve këtu është një shenjë e qartë që ne jemi të interesuar dhe jemi të shqetësuar për nivelin e korrupsionit, por që duhet më shumë angazhim, më shumë energji dhe guxim të zyrtarëve, të qytetarëve, të shoqërisë civile, të medias për të kërkuar një ndryshim në shoqëri”, tha ai.
Ambasadori britanik tha se “është i bindur se Kosova mund t’i bëjë këto ndryshime”.
Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, tha se “ambasada është e përqendruar në tërheqjen e investimeve në Kosovë dhe për këtë arsye lufta kundër korrupsionit është me rëndësi”.
Sipas saj, “korrupsioni ndikon tek mungesa e ofrimit të shërbimeve gjyqësore tek qytetarët dhe në përgjithësi krijon mungesë të besimit si rezultat dhe mungesë të efikasitetit”.
Ajo tha se “qeveria duhet të ofrojë shërbime sa më të mira, me një sistem efikas dhe transparent ndaj publikut”.
“Korrupsioni në prokurimin publik mund të konsiderohet korrupsion i një shkallë të lartë që përfshin politikanët, zyrtarët qeveritarë, dhe sektorin privat. Ai poashtu ndërlidhet me keqpërdorimin e pushtetit nga ana e zyrtarëve të lartë. Humbja e fondeve publike e shkaktuar nga korrupsioni ndikon në mundësitë e qeverisë për t'u ofruar shërbimet bazike qytetarëve të saj. Kjo po ashtu rrit barrën për taksapaguesit", ka thënë Viets.
Në anën tjetër, Artan Canhasi, nga Institutit Demokratik të Kosovës, thekson se transparenca dhe llogaridhënia janë shumë të rëndësishme për zhvillimin dhe mirëqenien.
“Transparenca dhe llogaridhënia janë kruciale për një demokraci domethënëse. Ka një mungesë të përkushtimit për një reforme graduale dhe të detajizuar për t'i rregulluar problemet së bashku hap pas hapi”, thekson ai.
“Java kundër korrupsionit” është aktivitet i përbashkët nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, janë theksuar në pothuaj të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian, si dhe në raportet hulumtuese të organizatave ndërkombëtare e vendore, si “një prej problemeve më të mëdha të zhvillimit të Kosovës”.
Organizata Transparency International, në një raport të saj të fundit për shkallën e korrupsionit në nivel global, e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve më të korruptuara. (REL)
Facebook Forum