Shumë biznese në Kosovë vazhdojnë t’u shmangen obligimeve tatimore, duke krijuar evazioni fiskal, krim të organizuar dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës, njëherësh çrregullim të tregut të lirë kosovar, thonë ekspertë të fushës.
Pikërisht për këtë çështje, gjatë javës, në rajone të ndryshme të Kosovës, autoritetet e rendit kanë kontrolluar 77 lokacione të ndryshme, ku kanë arrestuar 16 persona të dyshuar për veprat penale, organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe për krim të organizuar.
Përveç këtyre, gjatë këtij viti Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, ka shkatërruar nëntë grupe kriminale të përfshira në krim të organizuar, kurse ka arrestuar rreth 70 persona të dyshuar dhe përfshirë në krim të organizuar, pa i futur këtu arrestimet për krime ekonomike.
Kështu thuhet në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë theksuar përkushtimin e këtyre autoriteteve në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative, në përgjithësi, dhe krimit të organizuar.
Luftë kundër këtij fenomeni vazhdimisht kanë kërkuar përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ekonomia joligjore vazhdimisht ka penguar zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe ka ndikuar në mosardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.
Gërxhaliu thotë se dëshmia e parë që kontrolli nuk është në nivel të duhur, është numri i madh i bizneseve të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kurse më pak se 50 për qind prej tyre, llogariten aktive në Administratën Tatimore e Kosovës.
“Prandaj, besoj se është një fenomen që duhet të trajtohet. Por, trajtimi dhe emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së këtij fenomeni është sundimi i rendit dhe ligjit. Do të thotë që agjencitë kyçe të kenë qasje të përgjithshme dhe jo selektive”, konsideron Gërxhaliu.
Sipas të dhënave zyrtare, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, janë të regjistruara afër 150 mijë biznese, kurse Administrata Tatimore e Kosovës ka fiskalizuar mbi 29 mijë biznese, me mbi 32 mijë pajisje elektronike fiskale.
Në anën tjetër, Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova gjendet në pozitën më të keqe në Ballkanin perëndimor, sa i përket evazionit fiskal dhe ekonomisë joligjore, në përgjithësi.
“Ekonomia jo ligjore, evazioni fiskal është në rritje në Kosovë, dhe paraqitet si pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Është një nga metodat më të vrazhda të ekonomisë së lirë që rrezikon drejtpërdrejt ekonominë formale, por edhe buxhetin e shtetit që humb qindra miliona euro”, thotë Shahini.
Ky nivel i ekonomisë joligjore, sipas Gërxhaliut, paraqitet grusht i fuqishëm i stabilitetit social dhe ekonomik të Kosovës.
“Në qoftë se Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e paraqesin një shkallë pothuajse të barabartë me buxhetin e konsoliduar të Kosovës, por edhe po të mos jetë kjo por të jetë 18 ose 20 për qind, është një grusht i fuqishëm i stabilitetit social dhe ekonomik të Kosovës”, shton Gërxhaliu.
Në anën tjetër, betejën e pakompromis ndaj këtyre dukurive disa herë e kanë e paralajmëruar zyrtarë qeveritarë. Edhe pse vetë kanë deklaruar se si pasojë e ekonomisë joligjore, deri në 500 milionë euro nuk arkëtohen gjatë vitit në arkën e shtetit.(REL)
Facebook Forum