Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij do të ngrihet për interesat e veta, por nuk ka qëllim të përfshihet në ndonjë konfrontim me vendet e tjera.
“Nuk kërkojmë armiq, duam miq”, tha Putin në fjalimin e tij vjetor, në një sesion të përbashkët të parlamentit dhe qeverisë në Kremlin.
Ai po ashtu tha se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në “në baza të barabarta”.
Komentet vijnë në kohën kur marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin janë më të këqijat që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Përkeqësimi i tyre ka pasuar aneksimin që i ka bërë Moska Gadishullit ukrainas të Krimesë.
Putin tha se Rusia është e gatshme të tejkalojë vështirësitë me të cilat ballafaqohet.
“Viti i kaluar nuk ka qenë i lehtë, por të kaluarit nëpër prova të rënda na bën më të fortë”, tha Putin.
Rusia po lufton për dalje nga recesioni, i shkaktuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe sanksionet që i ka vënë Perëndimi për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.
Adresimi i Putinit është i mandatuar me Kushtetutën e Rusisë, e cila kërkon që presidenti të raportojë çdo vit për gjendjen aktuale në vend dhe prioritetet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme.