Fidel Castro e ka portretizuar vetveten si lider i të varfërve kundër regjimeve represive.
Por, për të qëndruar në pushtet për afro 50 vjet, Castro e krijoi një shtet tiran njëpartiak, i cili i ka burgosur mijëra disidentë dhe e ka ndalur lirinë e të shprehurit, thonë grupet për të drejtat e njeriut.
Ish-presidenti kuban, i cili më 25 nëntor vdiq në moshën 90-vjeçare, shpeshherë ka marrë lëvdata nga socialistët për udhëheqjen e revolucionit në vitin 1959, me të cilin u përmbys qeveria e korruptuar, që e kishte injoruar varfërinë e thellë të pjesës më të madhe të shtetasve të vet.
Pasi e mori pushtetin, Fidel Castro synoi përmirësimin e kushteve sociale duke e shtuar qasjen e kubanëve të zakonshëm në shërbimet shëndetësore, banim dhe arsim.
Por, këto të arritura u bënë me çmimin e shkatërrimit të së drejtës të zërit kritik të shtetasve kubanë ose formimin e partive politike, thonë grupet e aktivistëve dhe kubanët në ekzil.
Liria e të shprehurit – trashëgimi e errët e Castros
Përfaqësues të grupeve për të drejtat e njeriut thonë se sistemi që ai e krijoi, e vazhdon shtypjen e të drejtave të njeriut në Kubë deri në ditët e sotme, pavarësisht faktit se Fidel Castro, për së gjalli, ia kishte kaluar pushtetin të vëllait, Raul, në vitin 2008.
“Pavarësisht këtyre arritjeve në fushat e politikës sociale, 49 vitet e pushtetit të Fidel Castros karakterizoheshin me shtypje të pamëshirshme të lirisë së të shprehurit”, thotë Erika Guevara-Rosas, udhëheqëse e lartë në organizatën Amnesty International, dhe shton se “gjendja e lirisë së shprehjes në Kubë, ku aktivistët vazhdojnë të ballafaqohen me arrest dhe keqtrajtim nëse flasin kundër qeverisë, është trashëgimia më e errët e Fidel Castros”.
Shumë ekspertë të tjerë për të drejta të njeriut pajtohen me këtë konstatim. Megjithëqë Fidel Castro kishte lansuar nxitje për zhdukje të shpejtë të analfabetizmit, që ishte diçka e paprecedente në Amerikën Latine, dhe për stërvitjen e mijëra mjekëve, sundimi i tij shihet si sistem represiv, që i ndëshkoi pothuajse të gjitha format e opozitës.
“Derisa vendet e tjera në rajon u larguan nga sundimi autoritar, vetëm Fidel Castro në Kubë e vazhdoi shtypjen kundër pothuajse të gjitha të drejtave politike dhe civile”, thotë Jose Miguel Vivanco, udhëheqës i lartë në organizatën, Human Rights Watch, duke shtuar se “sundimi drakonian i Castros dhe ndëshkimi i ashpër, që ai e kishte imponuar për disidentët, e ka mbajtur sistemin e tij shtypës për shumë dekada”.
Eliminim i qeveritarëve dhe ekzekutime masive
Castro kishte sinjalizuar përkushtimin e tij për të mos e lejuar mendimin e kundërt pothuajse menjëherë pasi erdhi në pushtet në vitin 1959. Ai i eliminoi qindra pjesëtarë të qeverisë së përmbysur të kryeministrit, Fulgencio Batista, nëpërmjet një vargu të proceseve të rrejshme dhe ekzekutimeve masive.
Kur ishte ballafaquar me kundërshtim ndërkombëtar për shkak të këtyre ekzekutimeve, Castro e pati dhënë një përgjigje publike të pakompromis.
“Drejtësia revolucionare nuk është e bazuar në parimet juridike, por në dënimin moral...ne nuk po i ekzekutojmë njerëzit e pafajshëm ose kundërshtarët politikë, por vrasësit dhe ata e meritojnë këtë”, tha Castro.
Gjatë dekadave të ardhshme, Castro e zhvilloi një sistem ku ekzekutimet për aktivitet politik ishin të rralla, por burgosja, keqtrajtimi dhe frikësimi, ishin të zakonshme.
Human Rights Watch (HRW) thotë se në vitin 2003, gjatë periudhës së shtypjes së lartë, 75 aktivistë për të drejtat e njeriut dhe kritikë të tjerë të qeverisë së Castros, ishin gjykuar me dyer të mbyllura dhe ishin akuzuar se ishin “mercenarë” të Shteteve të Bashkuara, që ishte armiku kryesor i shpallur i Castros.
“Shumë prej tyre kanë shërbyer në burgje me kushte jonjerëzore”, tha HRW, duke u shprehur për jetën e Fidel Castros.
“Më se 50 prej të burgosurve të mbetur ishin liruar pasi Fidel Castro ia kaloi pushtetin të vëllait të tij, ndërsa shumica e të liruarve ishin pajtuar me kushtin që ta pranojnë ekzilin në Spanjë”, thotë HRW.
Burgosjet në Kubë vazhdojnë
Sipas një raporti të kësaj organizate për vitin 2016, mijëra disidentë vazhdojnë të burgosen në Kubë për çdo vit.
Numri i madh i disidentëve, që në mënyrë rutinore burgoset, bëhet pavarësisht disa lirimeve të dukshme gjatë viteve të fundit.
Një lirim i theksuar i tillë ka ndodhur në dhjetor të vitit 2014, kur presidenti amerikan, Barack Obama, e vizitoi Kubën, për të kërkuar ripërtëritje të marrëdhënieve diplomatike, që ishin shkatërruar pas revolucionit kuban në vitin 1959.
Në përgjigje të kërkesës së zotit Obama, për liri më të madhe politike në ishull, Raul Castro me kusht i liroi 53 disidentë. Të dy qeveritë i ripërtërinë raportet diplomatike në korrik të vitit 2015.
Me gjithë këto zhvillime, shumë vëzhgues thonë se jotoleranca e opozitës është pjesë fundamentale e trashëgimisë së Fidel Castros, dhe ka pak gjasë se qeveria do ta ndryshoj drejtimin tash kur ai ka vdekur.
Facebook Forum